Valon Loxha, i bërë i famshëm nga kronika e Klan Kosovës ku rrëfente se i merrte automjetet që i gjente me çelësa brenda tyre, është dënuar me një vit me burgim me kusht për dy vepra penale.
“Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar më 1 vit burgim me kusht, Valon Loxhën, i cili ka pranuar fajësinë për dy vepra penale – vozitjen e dy veturave, një e Bashkësisë Islame dhe një e Komunës, duke shkaktuar veprën penale ‘Cënimi i paprekshmërisë së mjeteve motorike’”, shkruan Betimi për Drejtësi.
“Sipas aktgjykimit të siguruar nga ‘Betimi për Drejtësi’, ndaj të akuzuarit Loxha, gjyqtari Veton Ademaj fillimisht kishte shqiptuar nga 7 muaj burgim me kusht për dy veprat penale, e më pas ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 1 viti burgim me kusht.
Në aktgjykimin e përpiluar më 16 prill të këtij viti, thuhet se dënimi me burgim ndaj Loxhës nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda dy viteve”.
Për më tepër, në njoftim thuhet se Loxha duhet ta paguajë paushallin gjyqësor prej 20 eurosh, si dhe taksën për kompensim të viktimave të krimit në vlerë prej 30 eurosh.
Në anën tjetër, komuna e Pejës dhe Mustafë Lajçi si palë të dëmtuara nuk do të bëjnë kërkesë juridiko-pasurore.
Ndërkaq, muajin e kaluar Prokuroria Themelore në Pejë kishte propozuar të shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri kundër Loxhës për dy veprat penale për të cilat ai tashmë e ka pranuar fajin, mirëpo pas deklaratës së ekspertit të psikiatrisë forenzike, propozimi është zëvendësuar me kërkim të shpalljes fajtor të të akuzuarit dhe të dënimit të tij sipas ligjit.
“Prokuroria Themelore në Pejë, më 26 mars 2021, kishte bërë propozim për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri kundër të pandehurit Valon Loxha për dy vepra penale “Cenimi i paprekshmërisë se mjeteve motorike”.
“Mirëpo, pas deklarimit të ekspertit të psikiatrisë forenzike lidhur me shëndetin mendor te të pandehurit, prokuroria kishte bërë zëvendësimin e propozimit, nga shqiptimi i masës së trajtimit të detyrueshëm në liri, në atë të kërkimit të shpalljes fajtor të të akuzuarit dhe dënimit të tij sipas ligjit”