Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka publikuar 50 bizneset që kanë përfituar nga pakoja prej 60 milionë eurove, që ishte shpërndarë si ndihmë ndaj bizneseve nga ish qeveria Hoti.
Ministri Murati ka shkruar se, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në frymën e transparencës, po ashtu edhe në zbatim të marrëveshjes financiare ndërkombëtare me Bashkimin Evropian të nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvend, publikon listën e 50 bizneseve që përfituan më së shumti nga pako prej 60 milionë eurove, e shpërndarë nga Qeveria e kaluar në tetor të vitit 2020.
Në mesin e bizneseve përfituesit më të mëdha janë disa rrjete të super marketeve në Kosovë.
Listës së subvencionimeve i prinë Viva Fresh, me gjithsejtë 860, 615.32 euro, që ka 2967 punëtorë. Elkos është ndihmuar me 675, 845.53 euro, që ka të deklaruar 2330 punëtorë. Super Viva është ndihmuar me 205, 364.22 euro që ka të deklaruar 708 punëtorë, etj.
Sipas të dhënave të Administratës Tatimorë të Kosovës, numri i tatimpagueseve aktiv -markete deri me datë 14.04.2021 është 4914 sosh.
Nëse shihen tatimet që janë paguar nga këto biznese në ATK, kuptohet se ato janë prekur pak ose fare nga pandemia në vitin 2020.
“Të hyrat e ATK-së nga marketet për vitin 2019 kanë qenë 16,341,647.16 euro. Kurse, të hyrat e ATK-së nga marketet për vitin 2020 kanë qenë 16,093,421.97 euro. Në tre mujorin e parë të këtij viti kanë qenë 2,536,865.68 euro. Tek te dhënat për marketet, te dhënat janë paraqitur vetëm sipas aktivitetit ekonomik ne NACE Kod Tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuar, ku mbizotëron ushqimi, pijet dhe duhani. Andaj, te dhënat mund te përfshijnë edhe tatimpagues tjerë qe nuk kane te bëjnë fare me këtë kategori apo mund te kemi edhe tatimpagues tjerë qe i takojnë kësaj kategorie por qe janë te regjistruar me tjetër kod primar”, thuhet në një përgjigje të ATK-së për lajmi.net.
Kujtojmë se këto biznese nuk janë mbyllur asnjë ditë të vetëm në kohën kur merreshin masa për parandalimin e pandemisë në Kosovë.