Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria ka siguruar edhe 145 mijë doza të vaksinës Pfizer nga kontrata e Bashkimit Europian me gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Rama tha se nga 651 mijë doza të vaksinës Pfizer që Bashkimi Europian do të ndajë në rajon, Shqipëria ka arritur që të sigurojë dozën e dytë më të madhe me plotë 145 mijë vaksina.
“Shumë faleminderit Komisionit Europian, Presidentes Von der Leyen, Komisionerit Varheley dhe ambasadorit Soreca, që e dëgjuan, respsektuan e përsëri po e ndihmojnë Shqipërinë, si miq të çmuar të këtij popull”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në Facebook.
Kujtojmë se me datë 19 të këtij muaji, në Shqipëri kanë arritur edhe tetë mijë e 190 doza të vaksinës Pfizer, duke e çuar numrin e vaksinave të arritura në 703 mijë e 550 doza.