Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë dhënë detaje për rastin e vrasjes që ka ndodhur të shtunën paradite në Tregun e Gjelbër në këtë komunë. Sipas një njoftimi nga Prokuroria, bashkë me të dyshuarin për vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve ishte edhe një zyrtar policor jashtë detyrës.
Një nga të plagosurit ka qenë kalimtar rasti.
Rasti ka ndodhur rreth orës 11:30. Si pasojë e konfliktit, u lënduan tre persona që u dërguan në Spital të Mitrovicës, ndërsa një nga ta nuk u rezistoi plagëve. Trupi i tij është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Policia ka bërë të ditur se i vrari është V.F., 27-vjeçar.
“Prokuroria njofton opinionin se me të dyshuarin ka qenë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës, por sipas informacioneve të para i njëjti nuk është kryerësi i vrasjes. Rasti është kualifikuar ‘Vrasje e rëndë’, dhe është duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit në koordinim me Njësitin e Hetimeve Rajonale të Policisë në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Dy të plagosurit vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor. E i dyshuari është arrestuar dhe po ashtu po merr trajtim mjekësor. I arrestuari është Sh.A. 35-vjeçar. Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor.