Mjeku Pëllumb Pipero ka folur rreth procesit të vaksinimit masiv në Shqipëri.
Lidhur me situatën në të cilën ndodhet vendin ynë, Pipero shprehet se paraqitet më e qetë dhe numri i rasteve të reja është në ulje krahasuar me dy muaj më parë.
Përsa i përket refuzimit të vaksinave kineze që Shqipëria i ofroi Kosovës, Pipero shprehet se ka qenë një vendim politik dhe iu bën thirrje kolegëve të tij kosovarë që të pranojnë vaksinën kineze pasi konsiderohet si një vaksinë me siguri të plotë.
“E kam thënë shumë herë para se të vinte vaksina kineze. Certifikata nga EMA është e rëndësishme. Kam informacione që vaksina kineze është aprovuar në OBSH, ndërkohë që vaksina ruse këto ditë merr miratimin nga EMA, nuk duhet të paragjykojmë vaksinat.
Sa i takon vendimit të Kosovës për të refuzuar vaksinat kineze nga ne ka qenë një vendimi politik. Shumë profesionalistë, edhe kolegët e mi në Kosovë, edhe qeveritarët ta pranojnë vaksinën kineze sepse konsiderohet dhe ka treguar një siguri të plotë dhe duhet t’i referohemi mendimeve dhe rekomandimeve të specialistëve në mbarë botën kur flasim për vaksinat.
Duke qenë se pjesa më e madhe e vaksinave janë aprovuar nga EMA në kushtet e një emergjence duhet të marrim në konsideratë se nuk ka zgjidhje tjetër fundi i kësaj pandemie veçse vaksinimi. Asnjë vend nuk mund të quhet i sigurt nëse rajoni, kontinenti, bota nuk është e sigurt ndaj vaksinës. Të gjithë politikanët dhe institucionet rekomandojnë të vaksinohen të gjithë në një kohë të shkurtër”, shprehet Pipero në Top News, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.