Qeveria e Kosovës të hënën ka marrë masa të reja anti-Covid, për shkak të numrit të madh të vdekjeve dhe të të infektuarve me virusin Sars-Cov2.
E, për njohësit e ekonomisë këto masa do të kenë ndikim negativ tek bizneset, pasi që shumë punëtorë për disa ditë do të mbesin pa punë, shkruan Front Online.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, tani analist ekonomik Safet Gërxhaliu, thotë për Front Online se mbyllja nuk është zgjidhje.
“Besoj që mbyllja nuk është zgjidhje, duhet të analizohet ndonjë masë tjetër e kundërt, në veçanti kur dihet se Kosova nuk është me kapacitete potenciale për të kompensuar dëmet që i shkakton mbyllja, nuk duhet të merret si model Zvicra, Austria ose Gjermania kur dihet fare mirë se 80 për qind të obligimeve i mbulon shteti, prandaj në këtë drejtim strategjia duhet të jetë e ndërtuar me indikator ekzistues vendor”, ka thënë Gërxhaliu, për Front Online.
Ai, ka kërkuar që pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike pas këtyre masave të ridizajnohet.
“Është koha kur pakoja për rimëkëmbje të jetë e ridizajnuar, e analizuar, dhe të dalë me propozime konkrete”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Kurse, për analistin tjetër Bardh Ahmeti, masat e reja do të ndikojnë negativisht në sektorin e gastronomisë e në disa sektorë të tjerë, pasi që shumë punëtorë do të mbesin pa paga.
Por, thotë se pavarësisht kësaj masat kanë qenë të pashmangshme.
“Duke parë situatën epidemiologjike në vend këto masa kanë qenë të pashmangshme për shkak të përkeqësimit të numrave sidomos të vdekurve, sidomos të rasteve të vdekjeve dhe rasteve pozitive me Covid 19, por efekti i këtyre masave në ekonomi do të jetë i drejtpërdrejt kërkohet intervenim i menjëhershëm për të shmangur humbjen e vendeve të punës dhe falimentimin e bizneseve”, ka deklaruar Ahmeti për Front Online.
Ai ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk reagon me pako stimuluese financiare, ndikimi negativ do të jetë i madh.
“Patjetër që do të ndikojë negativisht sidomos nëse qeveria nuk reagon në pakon stimuluese financiare, dhe kjo do ti paraprinte nëse do të ishte thirrja ime që sa herë që kemi masa qeveria ti paraprijë ose njëkohësisht me shpalljen e masave përkufizimi e aktivitetit ekonomik në vend të lansojë edhe pako stimuluese financiare në mënyrë që paniku tek ekonomia dhe paqartësia, tek familjet kosovare të cilat mbijetojnë me paga nga këto sektorë, dmth të shmangen të kemi një qartësi si do të intervenojë shteti përkundër mbylljes”, ka shtuar ai.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës të hënën, ka ndërmarrë një varg masash për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Në këto masa për 11 ditë do të jetë e mbyllur gastronomia, qendrat tregtare, shkollat do të kalojnë në mësim online, ndërsa do të ketë edhe orë policore nga ora 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit./Front Online/