Një ditë pas vendimit që të mbyllen konviktet dhe mensa për 12 ditë, studentët janë nisur për në shtëpitë e tyre. Ky vendim nuk iu ka pëlqyer atyre dhe organizatave studentore, teksa kanë thënë se nuk janë të rrezikuar nga Covid-19, meqë në çdo dhomë është i vendosur nga një student. Drejtori i Qendrës së Studentëve ndërkaq ka bërë me dije se do të respektohet çfarëdo vendimi që merret nga Qeveria.
I bënë gati valixhet dhe u nisën për në shtëpi. Fjala është për studentët e vendosur në konviktet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë.
Një ditë më parë, Qeveria mori vendim që konviktet dhe mensat të pezullojnë aktivitetin e tyre, nga data 6 deri më 18 prill. E disa studentë janë ankuar se mbyllja e konvikteve do t’u shkaktojë probleme.
“Sot jemi ardhë për me u bartë për në shtëpi. Ka me qenë pak problematike puna e provimeve edhe kolokviumeve, ku duhet me udhëtu. Ne jemi prej Komunës se Pejës dhe ka me qenë problem udhëtimi. Më mirë ka qenë me qenë çelë, edhe ashtu jemi nga një vetë në dhoma dhe s’ka paraqitë problem ose rrezik për me u infektu me Covid”, ka thënë studenti Drilon Berbati nga Peja.
E studenti tjetër i vendosur në këtë qendër, Egzon Morina, ka thënë se pret që konviktet të mos jenë gjatë të mbyllura.
“Nëse veç afati i prillit shkon me këtë situatë, s’besoj që ka me qenë shumë problem, sepse i kemi një ose dy provime; varet tash kemi edhe prej komunave më larg, atëherë te dikush ka me qenë problem”, është shprehur ai.
Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, ka thënë se çfarëdo vendimi që vjen nga Qeveria, ata janë të gatshëm ta zbatojnë.
Ai ka treguar se nga fillimi i vitit akademik i kanë respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ku në çdo dhomë ka qenë nga një student. Po ashtu edhe ushqimin e kanë marrë nga mensa në dhoma.
“Formën e prerë ky vendim do ta marrë sot, ku do ta marrim zyrtarisht dhe të shohim a do të ketë ndonjë ndryshim ku ne afektohemi si qendër e studentëve. Po sigurisht, reagimet e studentëve kanë qenë të ndryshme, pra kanë qenë pro qëndrimit në konvikte dhe në mensë, mirëpo këto janë qëndrime të studentëve dhe vendimet i kanë marrë organet kompetente shëndetësore dhe Qeveria”, është shprehur ai.
Kundër mbylljes së konvikteve e Mensës është shprehur edhe Parlamenti i studentëve. Përmes një reagimi ka theksuar se qëndrimi i vetëm një studenti në dhomë dhe ushqyerja “merr me vete”, nuk paraqet rrezik për përhapjen e virusit.
Një ditë më parë Qeveria vendosi po ashtu që të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar nga data 12 deri më 18 prill mësimin ta mbajnë online. Po ashtu nga data 6 deri më 18 prill, mësimin online janë të obliguar ta organizojnë edhe institucionet publike dhe private universitare.
Provimet pritet të mbahen fizikisht në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, por duke respektuar masat dhe distancën fizike dhe duke u bërë ndarja në grupe nga 10 persona.
Institucionet parashkollore do të vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër Covid-19.
Po ashtu të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit u ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtëmësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve-studentëve.