Ministria e Shëndetësisë dhe e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë paralajmëruar masa të reja anti-COVID, të cilat priten të hyjnë në fuqi nga 6 prilli.
Këtë e kanë kundërshtuar disa kryetarë dhe përfaqësues komunash, të cilët thonë se masat janë tejet të rrepta dhe të dëmshme për ekonominë dhe bizneset. Kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, është ankuar se nuk ka marrë ftesë për një takim të tillë, ku sipas tij, ka qenë traditë që konsultimet për masa të reja të bëhen bashkërisht me Asociacionin, si përfaqësues legjitim.
Ibrahimi i ka thënë KOHËS se në takim kanë marrë pjesë gjashtë kryetarë dhe 11 përfaqësues komunash. Ndonëse s’ka qenë pjesë e takimit, Ibrahimi thotë se ky takim më tepër ishte informues sesa konsultativ, ngase, sipas tij, nuk janë marrë mendimet e të pranishmëve të tjerë.
“Komunat gjithmonë kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim me nivelin që të shpëtohet jeta e qytetarit. S’mund të thuhet që ka ndodhë proces konsultativ gjithëpërfshirës me komunat, nëse në takim kanë marrë pjesë vetëm gjashtë komuna. Më tepër ishte informues”, ka thënë ai.
E për masat e reja që pritet të hyjnë në fuqi nga 6 prilli, Ibrahimi thotë se do i shkaktojnë dëme shtesë ekonomisë.
“Komunat që prodhojnë produkte bujqësore i dëmton kjo masë sepse kryesisht i shesin ato në restorante dhe kjo ua pamundëson shitjen. Mirëpo, nëse masat aktuale respektohen, shitja do ishte e suksesshme”, ka thënë ai.