Shefi i Grupit Parlamentar të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri ka folur para mediave pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit dhe ka kritikuar ashpër mazhorancën.
Ai e ka quajtur të çuditshme mbledhjen e sotme të Kryesisë që e sheh të lidhur me zhvillimet e natës së mbrëmshme, shkruan lajmi.net.
Tahiri tha se në këtë rast nuk vlejnë afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit pasi presidenti është ushtrues i detyrës.
“Sot ishim të ftuar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, mbledhje jashtëzakonisht e çuditshme dhe që u ftua pa agjendë të qartë. Një mbledhje e cila realisht ishte e lidhur me seancën e mbrëmshme ku u tentua të kontrabandohej ligji për zgjedhjet. Kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesit e mazhorancës tentuan ta arsyetonin këtë veprim me afatet kushtetuese dhe ne i treguam se këto afate nuk vlejnë në këtë rast.”, tha Tahiri.
Më tutje ai tha se qëllimi i kësaj mbledhje ishte sistemimi i njerëzve të tyre nëpër pozita të larta shtetërore, e gjithashtu tha se mazhoranca po tenton ta mbysë demokracinë.
“Ne kërkuam nga kjo mazhorancë e papërgjegjshme që po i kërkojmë qeverisje efektive, të merret me problemet e qytetarëve, me pandemi, zhvillim ekonomik, drejtësi e siguri, ata e kanë mendjen tek sistemi i tyre në pozita të larta shtetërore dhe ky ishte qëllimi i kësaj mbledhje. Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e thotë qartë, që presidenti zgjidhet në seancë solemne, ndërsa sot po tentohet të zgjidhet në mënyrë të turpshme. Kjo mazhorancë po dëshmon se po tenton ta mbysë demokracinë, por ne jemi gardianë të demokracisë.”, tha Tahiri.
Ai gjithashtu tha se nëse vendi shkon në zgjedhje, fajtore është Vetëvendosja.
“Ne këkuam të tërhiqen këto dy kandidatura, ne jemi brenda afateve kushtetuese dhe mund ta bëjmë këtë nesër, masnesër e javën e ardhshme dh ekemi kërkuar të gjejmë një figurë që nuk është përçarëse por reflekton unitetin e qytetarëve të Kosovës. Ky vullnet i mazhorancës nuk ekziston. Faturën që si duket mund ta dërgojë vendin në zgjedhje, e ka Vetëvendosja.”, tha Tahiri.