Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka konfirmuar për KOHËN se do të votojnë për presidentin, pas tërheqjes së ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhje nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ende s’ka informacione për seancën.
“Nuk kam informacion për seancë. Nuk funksionojnë këto punë përmes komunikatave të njërës palë pa marrëveshja të palës tjetër. Kur të bëhet fakt do ta shikojmë dhe të shohim”, ka thënë shkurt Gashi për KP.
LDK-ja kishte vendosur ditë më parë në Kryesi të partisë që të marrë pjesë në seancën për votim të Vjosa Osmanit për presidente. Ua kishte lënë në duar deputetëve të vendosin për këtë çështje dhe menjëherë u shtuan pikëpyetjet se disa nga deputetët s’do të përfillin qëndrimin e partisë dhe s’do të marrin pjesë në seancë për t’ia bërë kuorumin Osmanit.
Të premten, VV-ja dhe Qeveria Kurti iniciuan ndryshimet në Ligjin për Zgjedhje. Pasi kjo iniciativë dështoi që të vazhdonte në procedurë të përshpejtuar, nga LDK-ja kërkuan që të tërhiqet ky ligj përndryshe s’do të marrin pjesë në votim. Të shtunën në mesditë pas një takimi të kryeparlamentarit Glauk Konjufca me kryeministrin dhe pretenduesen për presidente, u vendos që për të vazhduar tutje me këto ndryshime të ketë bashkëpunim me opozitën e iu kërkua opozitës qëndrimi në sallë për të shmangur zgjedhjet e reja.
Vetëvendosje si e vetme ka 58 vota. Duke përllogaritur edhe disa vota të minoriteteve pakicë jo serbe, për ta zgjedhur Osmanin i duhen patjetër edhe votat e LDK-së në mënyrë që të arrihet kuorumi i obligueshëm prej 80 votash për zgjedhjen e presidentit. Në dy rundet e votimit për presidentin kërkohet përkrahja e 2/3 e deputetëve, ndërsa në rundin e tretë kërkohen minimalisht 61 vota por me kushtin që në votim të marrin pjesë së paku 80 deputetë.