Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se janë siguruar votat dhe kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.“Jemi në pritje të takimit të kryesisë (së kuvendit). Koha e seancës ende nuk dihet. Pritet të jetë pasdite”, tha Rexhepi.Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti tashmë ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme që të thirret seanca e jashtëzakonshme e kuvendit, për zgjedhjen e presidentit të ri, merr vesh Radio Evropa e Lirë.
Që të thirret seanca për zgjedhjen e presidentit, duhen nënshkrimet e të paktën 40 deputetëve. Më pas, kryesia e kuvendit mblidhet për të caktuar kohën e mbajtjes së kësaj seance.Jozyrtarisht, REL-i po ashtu merr vesh se Lëvizja Vetëvendosje është duke e shtyrë përpara nxjerrjen para kuvendit të një ligji, i cili do të rregullonte çështjen e votimit të diasporës nëpër ambasadat që Kosova ka në botë. Ky legjislacion, LVV-ja dëshiron që ta prezantojë para se të procedohet me votimin për presidentin.
LVV e Kurtit për postin e presidentit ka propozuar Vjosa Osmanin.
Osmani, ish-zyrtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi në listë të përbashkët me LVV-në dhe mori më së shumti vota, përkatësisht, mbi 300 mijë.Ish-partia e saj, LDK-ja, që është në opozitë, gjatë kësaj jave ka thënë se do të marrë pjesë në votimin e presidentit.Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të veprojnë deputetët e LDK-së, pavarësisht vendimit të kryesisë së kësaj partie, që të mos bëjnë pengesa në zgjedhjen e presidentit.