Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve T.M. dhe A.O. për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 të KPRK-së, Përvetësimi në detyrë nga neni 418 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së, Falsifikim të dokumentit zyrtar nga neni 427 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe K.M. dhe D.Č. për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Falsifikim i dokumenteve nga neni 390 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Mashtrim nga neni 323 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurve T.M. dhe A.O., K.M. dhe D. Č. gjykata ju ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç, përkatësisht deri më datën 29.04.2021.
Masa e paraburgimit të pandehurve ju caktohet në bazë të nenit 187 par.1 nën paragrafi 1.1, e 1.2, pikat , 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPP-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri mund të arratisen nga vendi apo fshihen me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale dhe me këtë do të ndikonin në zvarritjen e procedurës penale, po ashtu po të gjendën në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të dëmtuar e në ketë mënyrë mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, gjithashtu nëse të njëjtit gjendën në liri, ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale të njëjta apo të ngjashme.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.