Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ende nuk e ka ndarë mendjen nëse do të qëndroj apo jo në sallë, ditën kur pritet të votohet Vjosa Osmani për presidente.Ndonëse nuk është kundër Vjosa Osmanit për shefe të shtetit, ai megjithatë e ka një kusht për ta votuar atë.
Gazeta Blic merr vesh se Pacolli po e pret një thirrje nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe pas takimit që do ta kishte me fituesin e zgjedhjeve, ai do të vendoste që të qëndronte në seancë.
“Pacolli ende nuk është kontaktuar nga Kurti. Pa u takuar me liderin e VV-së, si fitues i zgjedhjeve, ai nuk do ta votojë të propozuaren e tij për president- Vjosa Osmanin”, tha një zyrtar i lartë i AKR-së në kushte anonimiteti.
Lideri i AKR-së, vazhdon të jetë i “hidhëruar” me Albin Kurtin për faktin që kur ishte paralajmëruar mocioni për rrëzimin e Qeverisë Kurti 1, atë kohë qeveria e drejtuar nga lideri i VV-së, e kërcënonte Pacollin për karantinim në konvikte.Madje, Pacolli në disa deklarata ka theksuar se ka pasur informata për një sulm terrorist ndaj aeroplanit të tij.
Më 30 prill, ai kishte deklaruar se “pikërisht frika nga ndonjë sulm terrorist unë kam aterruar në Tiranë”, tha ai.“Unë nuk e kam thirrë askënd në Kosovë të bëjë ndonjë dallim për mua. Unë nuk e di çfarë do të ndodhë për mua tash e tutje. Nuk do të rezistoj dhe do nëse ka një rregull dhe një normë që është për të gjithë qytetarët e Kosovës do ta respektoj edhe unë. Nuk do të kërkoj as të trajtohem ndryshe e as mangësi.
Jam qytetar i rëndomtë dhe do të trajtohem njëjtë si të gjithë qytetarët e Kosovës. Kam lexuar lajme dhe nuk më kanë pëlqyer deklaratat e zëvendësministrit që ka deklaruar se nëse Pacolli gjendet brenda Kosovës do të arrestohet. Nuk ka pasur asnjë televizion ballkanik që nuk e ka pasur në Headline këtë informatë”, tha Pacolli.
Ndërkohë, këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj ka thënë se grupin e deputetëve të AKR-së nuk e ka kontaktuar askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Vetëvendosje (VV), në lidhje me çështjen e presidentit, shkruan Gazeta Blic.Jetlir Zyberaj e i ka konfirmuar në mënyrë indirekte mos votimin e Osmanit.Zyberaj tha se për këtë çështje nuk i ka kontaktuar askush. Kujtojmë se AKR’ja ka deputet në Kuvend vetëm Behgjet Pacollin.“Për këtë punë askush nuk ka na kontaktuar që të bisedojmë për këtë çështje, besoj se i kanë numrat”, ka thënë Zyberaj.