Prokuroria Themelore e Prishtinës ka paraqitur kerkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër personave të arrestuar dje, në mesin e tyre edhe dy ish-drejtorë të Telekomit.
Lajmin për Front Online e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
Personat e arrestuar dyshohen për kryerjen e veprave penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë”, “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda/Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj katër (4) personave, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë”, “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi””, tha Ulaj.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, kanë arrestuar ish-drejtorin e Financave Armend Osaj, ish-drejtorin e Marketingut Trim Musliu, vëllai i tij Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman.
Trim Musliu dhe Denis Ceman njihen në publik edhe si këshilltarë të ish dy ministrave. Musliu këshilltar i ish-ministrit të Drejtësisë Selim Selimi dhe Ceman këshilltar i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
Ndërkaq, dje express ka raportuar se dy nga të arrestuarit dyshohet se kanë marrë për vete telefona në vlerë prej rreth 400 mijë eurosh, të destinuar për t’ua shpërndarë klinetëve besnikë të Telekomit./Front Online/