Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka arsyetuar vendimin për qëndrimin në sallë në momentin kur të hedhet në votim kandidatura e Vjosa Osmanit për presidente.
Abdixhiku ka thënë se tani për tani koalicioni në të cilin është Osmani, i ka mbi 50 për qind të votave, duke thënë se LDK në zgjedhjet e ardhshme synon ta ketë këtë rezultat.
“Tani për tani ata i kanë 50 për qind. Ne po punojmë që pas 4 vitesh këtë rezultat ta kemi ne. Ne do të jemi të lumtur kur do i arrijmë 400 mijë e më shumë vota”, ka thënë ndër të tjera.
“Dje kemi patur një takim që ka zgjatur tre orë, dhe pas këtij debati kemi patur votimin në Kryesi dhe me shumicë absolute u mor vendimi që u bë publik sot.
A mbesim unik ose jo, është çështje që duhet definuar me kohë. Unë kërkoj nga secili deputet të jetë unik”.
I pyetur se cili ka qenë qëndrimi i Agim Veliut rreth kësaj çështjeje, Abdixhiku u përgjigj kështu.
“Qëndrimet e brendshme do t’i mbajmë brenda partisë, nuk është hera e parë që po ndodh precedenti që deputetët nuk i zbatojnë veprimet e Kryesisë.A jo çfarë mund të them nuk mund të parashikoj sjelljen përfundimtare por ajo që duhet të them është se duhet të jemi unik”.
Tutje ai është pyetur nëse do të ketë përjashtime nga partia, si në rastin e Vjosa Osmanit, nëse votohet kundër vendimit të partisë, ai theksoi se LDK-ja s’ka njerëz për të humbur.
“Nuk paragjykoj rezultatin final dhe gjithmonë jam i mendimit se nuk kemi njerëz për të humbur”, tha Abdixhiku në Debat plus.