Pas reagimit për zyrtarët publik që nuk kanë deklaruar pasurinë, ambasada e Amerikës në Prishtinë ka lëshuar edhe një tjetër komunikatë, kësaj radhe për organizimet e qeverisë që bëhen jashtë Kosovës.
Ambasada nëpërmjet një reagimi të lëshuar përmes Twitterit, ka thënë se kundërshton mbledhjet e qeverisë së Kosovës që bëhen jashtë territorit të Kosovës.
Ata kanë bërë thirrje të ndalet kjo praktikë, si dhe organizimet të bëhen përbrenda territorit të Kosovës, pasi që bizneset këtu janë në vështirësi dhe kanë nevojë që paratë e taksapaguesve të shpenzohen aty.
“Ne kemi kundërshtuar prej kohësh mbajtjen e mbledhjeve të qeverisë së Kosovës jashtë Kosovës dhe i përgëzojmë udhëheqësit institucionalë që po punojnë për të ndaluar këtë praktikë të kotë. Sektori i turizmit është duke çaluar. Nëpunësit publikë duhet të shpenzojnë paratë e taksapaguesve në Kosovë”, thuhet në postimin e ambasadës.