Rreth 3 mijë e 500 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion, nga 4 mijë e 850 sa është numri i përgjithshëm.
E zyrtarët e lartë tashmë i kanë vetëm edhe dy ditë kohë për të bërë deklarimin e pasurisë, tha në një intervistë për Ekonomia Online Afrim Atashi Drejtori i Departamentit për Parandalimin e Korrupsionit në (AKK).
“Sa i përket deklarimit të pasurisë siç dihet ka filluar me datën 1 mars dhe përfundimi sipas ligjit është me datën 31 mars, deri më tani nuk e kanë deklaruar një pjesë e madhe, diku i kemi afërsisht rreth 3500 zyrtarë të lartë ndoshta edhe më pakë por jemi në proces të grumbullimit për shkak se po vinë përmes e-maileve dhe jemi duke i përpunuar rreth 3 500 euro nga numri i përgjithshëm sa është 4 850”.
Atashi tha se presin që deri më 31 mars të deklarojnë pasurinë të gjithë zyrtarët e lartë publik. Ai tha se AKK-ja ka paraparë që sipas ligjit të gjithë personat që nuk e deklarojnë pasurinë të paraqitet kallëzim penal ndaj tyre.
“Ne presim që deri në fund të afatit të deklarohen pasurinë të gjithë zyrtarët e lartë publik edhe pse mundet me pasë që nuk e kanë deklaruar pasurinë, masat që do ti ndërmerr Agjencia si institucion është e paraparë me ligj, që zyrtarët e lartë që nuk e deklarojnë pasurinë brenda afatit ligjor Agjencia paraqet kallëzim penal për të gjithë ata që nuk deklarojnë dhe nuk kanë arsye se përse nuk e kanë deklaruar, sepse mundet me pasë arsye të shumta e sidomos në kohën e pandemisë”.
Pandemia nuk la pa prekur edhe AKK-në duke shkaktuar vonesa sa i përket deklarimit të pasurisë, proces ky që sipas Atashi është shtyrë disa herë.
“Sigurisht që e ka vështirësuar sepse ka filluar vitin e kaluar dhe ne kemi pasur vonesa sa i përket deklarimit të pasurisë sepse siç dihet edhe vitin e kaluar ka qenë kufizimi më i madh dhe e kemi shtyrë dy-tri herë deklarimin e pasurisë”.
“Këtë vit nuk kemi pasur shtyrje mirëpo pandemia po e bënë të veten për shkak se shumë zyrtarë të lartë marrin informata nga institucionet përgjegjëse sa i përket formulimit dhe mund të ketë pengesa në këtë aspekt por deri më tani besoj se ka shkuar mirë dhe shpresoj që deri në fund të shkojë mirë”.