Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, ka thënë se ka kaluar koha e krijimit të “Serbisë së Madhe” apo “Shqipërisë së Madhe”.
E pyetur për situatën momentale në rajon, e veçanërisht për situatën në Mal të Zi ku është një qeveri e re pro-serbe, Rexhepi ka thënë se po monitorojnë situatën në Mal të Zi, por edhe në vendet tjera.
“Ne po e përcjellim situatën politike në Mal të Zi, por edhe në vende tjera të rajonit. Ka kaluar koha e krijimit të ‘Serbisë së madhe apo edhe të ‘Shqipërisë së Madhe’. Të gjitha kombet e Ballkanit duhet ta kuptojnë që koha e nacionalizimit, dhe mbi të gjitha forcimin shovinist të një kombi si superior, është e gabuar dhe askujt nuk i ka sjellë të mirë. Pra, të respektojmë njëri-tjetrin, le të respektojmë vlerat e diversitetit. Sigurisht një e kaluar e vështirë nuk mund të harrohet, por është detyrimi ynë prindëror dhe qytetar të rrisim fëmijët tanë në një frymë tolerance”, ka thënë Rexhepi në një intervistë për “Dnevni Avaz”.
Avaz ka thënë se një nga problemet që po e kanë me Bosnjë – Hercegovinën është mosnjohja e shtetit të Kosovës nga Bosnja.
“Një nga problemet më të vështira që kemi me Bosnjën është mosnjohja e shtetit të Kosovës si një shtet sovran, madje edhe mosnjohja e dokumenteve tona për të udhëtuar lirshëm”, ka thënë Rexhepi.
Rexhepi ka folur edhe në lidhje me Marrëveshjen e Washingtonit të nënshkruar më 4 shtator të vitit të kaluar.
“Qeveria Kurti 1 ishte rrëzuar në një mënyrë shumë tinëzare, gjatë pandemisë, ku ne nuk mund të kundërshtonim të gjitha forcat e brendshme dhe të jashtme, por unë jam qind për qind e sigurt, para së gjithash, në pozicionin tim, por edhe në atë të Albin Kurtit, pasi kemi qenë kolegë në parlament për katër mandate dhe së bashku ishim në Komisionin për Punë të Jashtme, se ne kurrë nuk kemi qenë dhe as nuk jemi kundër popullit amerikan, qeverisë apo ambasadave. E çdo deklaratë e politikanëve shqiptarë në atë kohë ishte lojë tinëzare. Në prapaskenë, ata u përpoqën të impononin një imazh të z. Kurtit si anti-amerikan, që kishte për qëllim vetëm ruajtjen e pushtetit. Fal Zotit populli shqiptar e kuptoi këtë dhe i dha besim të madh kryeministrit aktual”, ka thënë Rexhepi.