Kuvendari nga rradhët e LVV-së në komunën e Prizrenit, Ilir Gashi, ka dalur me një apel rreth mbrojtjes së Qendrës Historike të Qytetit të Prizrenit.
Postimi i plotë:
Apel për mbrojtjen e lagjes Bajrakli!
Këtë foto të lagjes së Bajraklisë e shkrepa javën e kaluar nga minarja e xhamisë së Katip Sinanit (Levishës) me pamje kah Kalaja e Prizrenit. Në të djathtë është rruga kryesore e qytetit “Adem Jashari”, dikur qarshia më e madhe e qytetit, tani e shkretuar.
Foton e lagjes po e publikoj për të alarmuar se së shpejti këtu pritet të ngrihen objektet shumëkatëshe afaristo-banesore të cilat do të shtrihen deri në rrugën “Adem Jashari”.
Me këtë projekt ndërtimor, Prizreni do ta humb edhe një lagje të vjetër dhe degradimi urbanistik do të merr përmasa edhe më shqetësuese me efekte të përhershme.
Mbrojtja e Qendrës Historike të Qytetit duhet të filloj shumë larg saj. Zona e parë dhe e dytë rreth Qendrës Historike duhet të kursehet nga ndërtimet e larta. Lagjja në fjalë është në pikën zero me Qendrën Historike, prandaj edhe ndërtimi shumëkatësheve në këtë zonë as që do të duhej të konsiderohej.
Apeloj tek të gjithë banorët e lagjes,instancat zyrtare (lokale dhe qendrore), OJQ-të e mediat që të ndërmarrin të gjitha hapat e mundur për ta mbrojtur Prizrenin nga degradimi i mëtutjeshëm.
Mjaft ka humbur ky qytet. Tani është koha për të bërë diçka të mire për Prizrenin.