Kombëtarja e Kosovës në futboll do të luajë tri ndeshje gjatë muajit mars.
Kosova fillimisht do të përballet me Lituaninë në ditën e nesërme me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjeve miqësore.
“Dardanët” do të luajnë edhe një duel në Kosovë, ku do të mirëpresin Suedinë me 28 mars, në kuadër të takimeve kualifikuese për Kupën e Botës 2022, ndërsa do të luajnë poashtu edhe me Spanjën me 31 mars.
Për ndeshjen ndaj Suedisë, do të ketë një angazhim normal nga Policia e Kosovës. Ylli i futbollit, Zlatan Ibrahimovic, bashkë me shokët e tij do të jetë prezent në Prishtinë dy ditë para ndeshjes, andaj siguria për ta pritet të jetë e madhe, shkaku edhe i pandemisë Covid-19.
Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se janë bërë vlerësimet paraprake të rrezikshmërisë dhe tani janë gati për përgatitje operacionale.
“Policia e Kosovës bazuar në detyrat, autorizimet ligjore, vlerësimet paraprake të rrezikshmrisë dhe informacionet të cilat i posedon, ka filluar me përgatitjet operacionale për nga aspekti i sigurisë për ndeshjen kualifikuese në fjalë në mes të Kosovës dhe Suedisë. Të gjitha masat e sigurisë planifikohen sipas praktikave për ndeshje ndërkombëtare”, kanë thënë nga Zyra për Informim nga Policia e Kosovës për ‘GazetaBlic Sport’.