Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të martën, i ka shpallur fajtorë dy të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në fshatin Nerodime e Epërme, Z.K dhe D.Sh.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Musa Konxheli, Z.K. u dënua me 14 vite e 6 muaj burgim efektiv, kurse D.Sh. është dënuar me 7 vjet burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Konxheli bëri të ditur se në dënimet e shqiptuara, të akuzuarve do tu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë e sigurisë të njëjtëve iu vazhdua me aktvendim të posaçëm, deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.
Kurse të dëmtuarit, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, janë udhëzuar në kontest civil.Gjykatësi Konxheli ka njoftuar se pala e pakënaqur me këtë vendim ka të drejtë ankese brenda 15 dite, nga pranimi i kopjes së këtij aktgjykimi.
Ndryshe, në fillim të seancës së 17 shtatorit 2020, trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Musa Konxheli, kishte kërkuar nga mediat raportimin e këtij rasti me iniciale për shkak të ndjeshmërisë së rastit, por që lidhur me atë nuk kishte marrë aktvendim.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2019, i akuzuari Z. K., më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkt në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes N. që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.
Gjithnjë sipas aktit akuzues, i njëjti gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së O. N, e pastaj nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me formë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.
Pastaj, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë të cilët u përkisnin forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, ka marrë pjesë në cenimin e rëndë të personalitetit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj familje, ngase me forcë nën kërcënimin e armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kanë nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë jo humane i kanë rreshtuar në oborr para shtëpisë duke i mbajtur nën frikë dhe presion për një kohë të gjatë.
Tutje, thuhet se në vazhdim derisa personat civil të familjes N., ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.
Pastaj, sipas akuzës, i pandehuri në të njëjtën kohë ka marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familje, të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr, ku në bashkëveprim edhe me kryerës tjetër, nën kërcënimin e armëve i kanë urdhëruar të shpërngulen nga vendbanimi i tyre duke i dëbuar me forcë në drejtim të panjohur.
Tutje, thuhet se i pandehuri ka marrë pjesë në marrjen peng të katër personave të kësaj familje, i cili duke vepruar në bashkëveprim me kryerës tjerë, fillimisht i ka ndarë nga pjesëtarë tjerë të familjes, personat O. N, B. N., A. N. dhe B. N., tani të ndjerë.
Pas marrjes të tyre, thuhet se thelbësisht ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur për skaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.