Albin Kurti dje u zgjodh për herë të dytë kryeministër i vendit, kurse sot zyrtarisht mori detyrën nga paraardhësi i tij, Avdullah Hoti.
Para se të zgjidhej në këtë pozitë, Kurti ndërsa ka folur për dialogun me Serbinë, disa herë ka pohuar se nuk e ka prioritet kryesorë këtë çështje, duke thënë se për të është veçse prioritet i katërt.
Dje pasi u bë kryetar qeverie, ndër të tjera foli edhe për dialogun me Serbinë, ku tha se raportet tona fqinjësore do t’i avancojmë mbi bazën e reciprocitetit dhe fqinjësisë së mirë, dhe se me Serbinë kemi çështje të hapura të cilat duhet të zgjidhen përmes dialogut.
“Prioritet në këtë dialog është zgjidhja e fatit të personave të zhdukur. Kemi 1640 persona të zhdukur. Serbia nuk ka dënuar kënd për këtë krim. Në poligonin e qitjes në Batajnicë ku janë zhvarrosur 744 shqiptarë, nuk ka asnjë pllakë përkujtimore apo diçka që shënon se aty kishte një varrezë masive. Por, jemi të vetëdijshëm që afër 1/3 e të zhdukurve, fati i të cilëve nuk është zbardhur ende, nuk janë shqiptarë. 22 vjet pas luftës të gjitha familjet duhet të dinë të vërtetën për familjarët e tyre që të mbyllin plagët e hapura dhe që ne si shoqëri të fillojmë të shërohemi. Asnjë progres nuk mund të bëhet në asnjë fushë tjetër nëse nuk ka progres në këtë fushë. – Na duhet dialogu për kthimin e afër 3 miliard euro të pensioneve të vjedhura nga Serbia; për kthimin e mbi 400 milion eurove të vjedhura nga keqpërdorimi i energjisë elektrike, për adresimin e dëmeve të luftës, për borxhet e për suksesionet. Pra, dialog që adreson dhe zgjidhë problemet ekzistuese e jo që krijon probleme të reja”, tha Kurti, shkruan Reporteri.net.
Por siç mund të shihet, Kurti askund nuk e përmend nëse kjo çështje vazhdon të mbetet prioritet i katërt i tij.
Por vetëm një ditë pasi u zgjodh, dhe pikërisht ditӕn kur e mori detyrën zyrtarisht, Bashkimi Evropian i ka kujtuar Kurtit se dialogu me Serbinë është çështje kyçe e jo prioritet i katërt.
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell ndërsa ka uruar Kurtin me anë të një postimi në Facebook, ia ka përmendur edhe procesin e dialogut.
“Presim të punojmë së bashku për ta sjellë Dialogun Beograd-Prishtinë në një mbyllje të suksesshme. Kjo është thelbësore për rrugën evropiane”, thotë Borell.