Mbrojtja e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli para pak ditësh e ka çuar në Gjykatën Speciale një mocion, përmes së cilit kundërshton aktakuzën kundër tij dhe ish-udhëheqëve tjerë politikë e ushtarakë të UÇ-së. Në këtë mocion, avokati Ben Emmerson përmend rastin e gjykimit të Ramush Haradinajt për të argumentuar se sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka bërë gabime në përshkrimin e ngjarjeve gjatë kohës për të cilën akuzohet Veseli, ndërsa i ka kërkuar gjykatësit ta urdhërojë Prokurorinë që t’i heq nga aktakuza krimet e pretenduara para mesit të vitit 1998 dhe pas qershorit 1999.
Sipas avokatit, një dhomë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare e Hagës për krimet në ish-Jugosllavi kishte pranuar se kishte pak prova specifike për përplasjet midis UÇK-së dhe forcave serbe midis 25 marsit dhe 21 prillit 1998. Por në mocion, avokati thekson se “UÇK-ja s’ishte organizuar brenda natës”.
“Sidoqoftë, ndryshe nga rasti i mëparshëm Limaj, Dhoma vendosi që rifillimi i përplasjeve më 22 prill 1998 përfundimisht shkaktoi zbatimin e ligjit të konfliktit të armatosur në të gjithë territorin e Kosovës. Gjetja e Dhomës Gjyqësore në procedurat e para në rastin Haradinaj nuk pasqyrojnë një interpretim të saktë të rastit Tadiq sepse dhuna e armatosur sporadike nuk zgjati nga një ditë në tjetrën (nga 21 deri më 22 prill 1999) thjesht sepse rifilluan përplasjet midis UÇK-së dhe forcave serbe atë ditë dhe as UÇK-ja papritmas su bë e organizuar brenda natës”, thuhet në mocion.
Aty përmendet se një dhomë tjetër e kësaj gjykate, në rigjykimin e Haradinajt hezitonte ta prantonte 22 prillin 1998 si fillimin e lutfimeve midis UÇK-së dhe forcave serbe.
“Në procedurën e rigjykimit Haradinaj, një dhomë tjetër e ICTY ishte shumë hezituese në pranimin e 22 prillit 1998 si fillimin e konfliktit të armatosur midis UÇK-së dhe forcat serbe dhe posaçërisht refuzuan propozimin e prokurorisë që një konflikt i armatosur ekzistonte midis 1 mars 1998 dhe 21 prill 1998. Ndërsa dhoma nuk ishte dukshëm e bindur që një konflikt i tillë ekzistonte deri më 22 prill 1998, megjithatë e pranoi një konstatim të tillë vetëm sepse palët e kishin bërë tashmë me marrëveshje 22 prillin 1998 si data prove”, thuhet tutje në mocionin e mbrojtjes.
Si përfundim, mbrojtja thotë se “çdo referencë në marsin 1998 si datën e fillimit të konfliktit nuk ka asnjë bazë në provat e paraqitura nga ZPS”, duke konstatuar një gabim faktit nga Prokuroria në përcaktimin e përfundimit të konfliktit të armatosur.
“Gjykatësi përmend dy shembuj për të mbështetur pohimin e tij se luftimet nuk mbaruan deri më 16 shtator 1999: (i) një incident më 10 gusht 1999 (10 raunde mortaje që qëlluan një fshat serb) dhe (ii) raporte të sulmeve me mortaja dhe eksplozivë kundër vendeve fetare serbe në fund të gushtit 1999”, theksohet në mocion.
Mbrojtja thotë se sipas fakteve, “të gjitha luftimet përfunduan deri më 10 qershor 1999”.
“Fundi i lutfimeve midis UÇK-së dhe forcave serbe është i lidhur pazgjidhshmërisht deri në fund të lutfimeve të forcave të NATO-s ndaj Serbisë. [..] Përkundër konstatimit të Gjykatësit, forcat serbe nuk ‘filluan të rishpërndanin disa nga njësitë e tyre jashtë Kosovës në qershor 1999, por në vend të kësaj, forcat serbe tërhoqën të gjitha njësitë e tyre nga territori i Kosovës deri në 20 qershor 1999”, thuhet në këtë mocion.
Sipas mbrojtjes, ZPS s’e thotë të vërtetën kur pretendon se ekzistonte rreziku i rifillimit të armiqësisë, sepse UÇK-ja ka mbajtur depo të paautorizuara të armëve.
“ZPS pretendon se UÇK-ja ka mbajtur depo të paautorizuara të armëve, në stacionet e policisë dhe mjediset e paraburgimit; dhe UÇK-ja dhe forcat ish-jugosllave vazhduan armiqësinë dhe veprimet provokuese të paktën deri në shtator 1999. Këto ‘shkelje’ ose ‘aktet provokuese’ ishin të rregullta dhe, në fakt, priteshin në një zonë pas konfliktit por qartazi nuk arrijnë të vlerësojnë ose paraqesin një rrezik real të rifillimit të armiqësisë”, thuhet në mocion.
Si përfundim, mbrojtja i kërkon gjykatësit që ta rishikojë vendimin për konfirmimin e aktakuzës në përputhje me rrethanat, ta urdhërojë ZPS-në që ta ndryshojë aktakuzën për të përjashtuar pretendimet në lidhje me incidentet e krimeve të luftës, mbajtjes së paligjshme, trajtimin mizor, torturat dhe vrasjet që pretendohet të kenë ndodhur para mesit të vitit 1998 dhe pas qershorit 1999.