Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para votimit të deputetëve ka prezantuar programin e plotë të tij për mandatin e ardhshëm.
Në ekspozenë e tij, Kurti ka folur për atë që synon të bëjë me ekonominë, arsimin, shëndetësinë, ushtrinë e sektorë të tjerë.
Ky është plani i plotë i Kurtit:
Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajtur sot si ekspoze e programit qeverisës para deputetëve të Kuvendit.
ë nderuar deputetë të Kuvendit,
Të dashur qytetarë të republikës,
Të pranishëm të tjerë,
Sot është një ditë e re për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Pas shumë pengesave, pritjeve dhe përpjekjeve, më në fund, ajo që dukej e paarritshme sot po bëhet realitet.
Jemi mbledhur këtu, në organin më të lartë të republikës për të jetësuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me 14 shkurt, në një palë zgjedhje që ishin porsi referendum, e ku populli u përcaktua qartë dhe drejt për rrugën që dëshiron të shkojë vendi ynë në katër vitet e ardhshme.
Ashtu edhe siç ka votuar, pas zgjedhjes së Kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit, populli pret që ne të zgjedhim Qeverinë dhe organet tjera në mënyrë që t’i fillojmë punët e mëdha që na presin, pa vonesa e pa pengesa, sepse sfidat para qeverisë së re janë të reja e të vjetra, gjithsesi të shumta.
S’ka dyshim se pandemia mbetet sfida kryesore. Pa humbur kohë, me ministrin e ri të shëndetësisë, do të fillojmë një plan për vendosjen nën kontroll të Covid-19 me masa të cilat ulin numrin e rasteve të reja dhe që çojnë drejt eliminimit të rasteve me vdekje. Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60% të popullsisë që do të sigurojë imunizim të mjaftueshëm për të filluar gradualisht kalimin në normalitet.
Drejtësia, Shëndetësia, Arsimi e Ekonomia që të gjitha kanë nevojë për reformë e cila duhet të fillojë shpejtë dhe të përgatitet mirë.
Në Kosovën e papunë çdo vit është i rëndë për qytetarët, por viti që lamë pas ka rënduar e peshuar më shumë tek ata që janë më të dobët.
Ankthi i vazhdueshëm i gjetjes së një vendi të punës, i pagesave të faturave në fund të muajit e deri te sigurimi i ushqimit në tryezë është shtuar nga pandemia.
Unë e kuptoj dhe e di se sa e vështirë është jeta për shumicën e qytetarëve të vendit sepse kemi papunësi dhe varfëri të lartë por nga sot do të fillojmë rrugëtim e ri drejt progresit, të zvogëlimit të pabarazive dhe të rritjes së mundësive për të gjithë. Do të jetë një rrugë e gjatë dhe e mundimshme por së bashku do të arrijmë në cakun e dëshiruar.
Do të fillojmë me reformën në drejtësi.
– Procesi i vetingut do të vazhdojë aty ku ka mbetur në pranverën e kaluar. Këtij procesi do t’i nënshtrohen gjykatës, prokurorë, inspektorë dhe drejtues të lartë të policisë dhe inteligjencës.
– Do të jetë një proces i mirëpërgatitur, fer, transparent dhe jo hakmarrës, për të siguruar se qytetarët kanë institucione profesionale, të paanshme dhe të pavarura të cilat ofrojnë drejtësi dhe siguri për të gjithë.
Një gjyqësor i paanshëm, i pavarur e profesional është jetik për shtetin dhe demokracinë tonë për të siguruar e garantuar drejtësi për qytetarët.
Arsimi do të reformohet.
– Shkollat tona duhet të kthehen në vendin që prodhojnë shkencëtarë e novatorë dhe që përgatisin gjeneratat e reja për konkurrencën globale sepse të rinjtë tanë kanë dëshmuar që kur u krijohen kushtet mund të sfidojnë bashkëmoshatarët e tyre.
– Do të rishikojmë kurrikulat në arsimin e hershëm duke e orientuar atë nga aftësitë vetërregulluese të fëmijëve dhe do të ofrojmë mbështetje të vazhdueshme profesionale për mësimdhënësit në zbatimin e saj.
– Do të bëjmë ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës në mënyrë që të sigurohemi se diploma siguron një vend pune dhe do të kthejmë integritetin dhe dinjitetin tek mësuesit dhe profesorët duke kthyer profesionalizmin në shkollat dhe universitetet tona.
Universitetet do t’i fuqizojmë me Fondin e Hulumtimeve, me më shumë buxhet e më shumë mbështetje dhe do të stimulojmë angazhimin e studentëve nëpërmjet punës praktike në të gjitha institucionet publike në vend.
Do të reformojmë sistemin shëndetësor.
– Infrastrukturë moderne, kushte për punë për mjekët, barna të mjaftueshme për pacientët. Do të kërkojmë profesionalizëm dhe integritet nga mjekët dhe do të ofrojmë qasje të barabartë për të gjithë qytetarët.
– Do të shtojmë buxhetin për shëndetësi në secilin vit dhe do të investojmë në zhvillimin e mjekësisë preventive, në atë shkollore dhe shumë më shumë se deri tani në mjekësinë familjare.
Neni 51 i Kushtetutës garanton mbrojte sociale dhe shëndetësore, prandaj ne do ta funksionalizojmë sistemin informativ shëndetësor, do të ofrojmë udhëzime shëndetësore dhe licencojmë profesionistët që të themelojmë Fondin për Sigurime Shëndetësore.
Në vendin tonë askush nuk duhet të falimentojë vetëm pse sëmuret.
Fëmijët janë e ardhmja jonë.
– Mënyra se si ne kujdesemi për fëmijët tanë tregon të ardhmen që do të kemi. Pabarazinë ekonomike do ta luftojmë me skema sociale dhe me zhvillim ekonomik por asnjëherë kjo pabarazi nuk duhet të ndikojë te fëmijët tanë. Çdo fëmijë në Kosovë, pavarësisht se ku ka lindur dhe kush është prindi është i barabartë dhe secili duhet të zhvilloj potencialin dhe talentin e tij të dhënë nga zoti. Shteti do të garantojë këtë barazi. Prandaj shpejt do të fillojmë me skemën e ndarjes së shtesave për fëmijë dhe nëna lehona.
– Për fëmijët deri në 2 vjeç do të ndahen nga 20 euro në muaj kurse për fëmijët nga 2 deri 16 vjeç do të ndahen nga 10 euro në muaj.
– Nëse një familje fiton më pak se 7,000 euro në vit do të marrë 50 euro për fëmijë, nëse fiton më pak se 6,000 euro në vit do t’i ndahen 100 euro dhe nëse fiton më pak se 5,000 do t’i ndahen 150 euro për fëmijë.
– Për nënat e papuna dhe lehona do të ndajmë pagën minimale në vlerë prej 250 euro në gjashtë muajt e parë të lindjes.
– Në këtë mandat do të hapim afër 160 çerdhe të reja dhe do të ofrojmë ushqim falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të 5-tën.
Varfëria te fëmijët është dhunë tejet e rëndë. Fëmijët edhe e durojnë, por shteti ynë nuk bën ta durojë atë. Asnjë fëmijë nuk do të mbetet i uritur dhe nuk do të mbetet mbrapa. Edhe në familjet e varfëra, fëmijët të mos jenë të varfër. Le të mos kenë nevojë fëmijët që të presin që e gjithë familja e tyre të dalë nga varfëria në mënyrë që ata të mos jenë të varfër më.
Do të zhvillojmë ekonominë dhe do të kujdesemi për punëtorët.
Synojmë një ekonomi e cila del nga pandemia, dhe të shëruar edhe nga shumë sëmundje tjera që e kanë përcjellë gjer më tani.
– Një ekonomi ku ka më shumë nevojë e hapësirë edhe për gratë, për rininë, për mërgatën, për komunitetet, për fshatin, e sidomos për ata që ju duhet më shumë mbështetje prej shoqërisë e shtetit.
– Një ekonomi ku ka më shumë prodhim e më shumë eksport, më shumë punëtorë, më shumë kontrata të punës, e më shumë respektim të të drejtave të punëtorit. Një ekonomi, nga progresi i së cilës përfitojnë shumë më shumë nga ne, një ekonomi pa monopole, e me ndërmarrje publike që funksionojnë mirë e operojnë suksesshëm.
– Ndërmarrësve tanë do t’u ofrojmë qasje në financa që janë aq të nevojshme për të përballur rritjen e prodhimit. Për këtë do të krijojmë partneritet të fuqishëm mes pesë shtyllave që së bashku e garantojnë daljen relativisht të shpejtë nga recesioni i tanishëm: ndërmarrjet – shteti – sistemi bankar – Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive – dhe komuniteti i donatorëve e i kredidhënësve ndërkombëtarë.
– Mbështetja do të shtohet për të gjitha bizneset që arrijnë të krijojnë qasje në tregje të reja ndërkombëtare dhe të rrisin eksportet e Kosovës; për të gjithë ndërmarrësit që hapin linja të reja të prodhimit, fusin produkte të reja apo, e më e rëndësishmja, që arrijnë të shtojnë numrin e punëtorëve.
– Ruajtja dhe rritja e numrit të punëmarrësve, sidomos të grave, të rinjve, anëtarëve të komuniteteve joshumicë dhe familjeve në ndihmë sociale, bashkë me rritjen e formalizimit të punësimit dhe respektimit të të drejtave të punëtorëve, janë prioritete tona jo vetëm në fazën e këndelljes nga pandemia, por edhe përgjatë gjithë periudhës së qeverisjes sonë.
– Mbështetje shtesë do ketë për bizneset në sektorë ekonomik që promovojnë efiçiencën e energjisë dhe ruajnë ambientin, ndërmarrësit që mundësojnë përpunimin e mëtejmë të ushqimit, drurit, apo promovojnë turizmin e vendit.
Do të jemi qeveri që fuqizon gratë.
– Në këto zgjedhje kemi dëshmuar se jemi Lëvizje progresiste e progresive duke tejkaluar kuotat për gratë, dhe sot në parlamentin e Kosovës kemi më shumë gra se çdoherë tjetër. Andaj qeveria jonë do të përkrahë pa kursyer gratë, qoftë përmes rritjes së pjesëmarrjes së tyre në fuqinë punëtore, ashtu edhe përmes mbështetjes aktive të saj në ndërmarrësi. Rritja e numrit të bizneseve në pronësi të grave është parakusht për fuqizimin edhe të ekonomisë.
E nëse ka diçka që kemi mësuar nga kjo pandemi atëherë kjo është se bujqësia është siguri dhe pavarësi.
– Në kushtet kur kufijtë mbyllen dhe tregtia e lirë ndalet e nganjëherë edhe ndalohet, ne bëhemi të varur nga të tjerët sepse mungesa e prodhimeve vendore bujqësore vë jetët tona në rrezik. Prandaj bujqësia dhe prodhimet bujqësore janë përveçse prioritet, edhe çështje e sigurisë kombëtare.
– Tokat tona bujqësore do të mbrohen ashtu siç do të mbrohen dhe ndihmohen bujqit prodhues. Do të fillojmë me futjen e çmimeve referente për një sërë produktesh bazike bujqësore, midis tyre edhe për grurin e qumështin, duke garantuar kështu stabilitet në treg. Do të sigurohemi se grantet dhe subvencionet shkojnë direkt te bujqit prodhues, do të shtojmë mbikëqyrjen dhe do të rrisim kontrollet e cilësisë.
Bujku do të jetojë me dinjitet me punën e tij.
Sportistët e artistët janë bekim për shtetin brenda vendit, ndërkaq jashtë tij ata janë ambasadorët tanë më të mirë, andaj do të punojmë shumë që ata të kenë kushtet e nevojshme për të realizuar potencialin e tyre.
– Do të financojmë projektet për qendra multifunksionale sportive dhe do të angazhohemi për edukimin e fëmijëve me sportin, përmes sportit.
– Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve do të kenë të garantuar financimin e rregullt dhe fondin e shtuar për projektet artistike. Njëjtë dhe për baletin, ansamblin dhe institucionet e tjera dhe do të fillojmë të ideojmë Teatrin e ri Kombëtar.
Trashëgiminë kulturore do ta mbrojmë. Do të kemi mbrojtje e përhershme ligjore të aseteve të trashëgimisë kulturore, kurse trashëgimia në rrezik do të shpëtohet përmes ndërhyrjeve emergjente dhe fuqizimit të inspektoratit.
Reformat në Policinë e Kosovës do t’i fillojmë menjëherë me miratimin e Ligjit për Pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policorë.
– Me këtë ligj, zyrtarëve policorë do t’u garantohet e drejta e pensionimit të parakohshëm në moshën 55 vjeçare. Në mënyrë që të mos dëmtohet funksionimi i rregullt i Policisë së Kosovës, zbatimi i ligjit do të ndahet në disa faza, në të cilat policët që e shfrytëzojnë të drejtën e pensionimit të parakohshëm do të zëvendësohen gradualisht përmes rekrutimit të mbi 2 mijë zyrtarëve të rinj policorë.
– Njëjtë sikurse Policia e Kosovës që na japin neve siguri, edhe ne duhet t’u japim zyrtarëve policorë sigurimin jetësor e shëndetësor, si një e drejtë e garantuar për punën e tyre të rëndësishme por edhe nën rrezik.
– Forcimi i integritetit dhe profesionalizmit në Policinë e Kosovës do të jetë ndër objektivat tona kryesore. Nivelet e larta drejtuese të policisë do t’i nënshtrohen procesit të vetingut, i cili do të zbatohet në të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend. Do të sigurohemi që, jo vetëm Inspektorati Policor i Kosovës si mbikëqyrës i jashtëm, por edhe mekanizmat e brendshëm të kontrollit, si Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti i Auditimit e Prokurimit të kenë pavarësinë e plotë në ushtrimin e rolit të tyre.
Do të ngremë padi ndaj krimit të gjenocidit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
– Themelimi i Institutit për hulumtimin e krimeve gjatë luftës, me mision të përcaktuar qartë, financim adekuat dhe me njerëz profesionistë dhe kompetentë; fuqizimi i departamentit për krime lufte brenda Prokurorisë Speciale me një numër të mjaftueshëm prokurorësh dhe bashkëpunëtorësh të mirë-trajnuar; krijimi i një njësie të veçantë e të specializuar brenda Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, që i verifikon shkencërisht faktet dhe dëshmitë e miratimi i një legjislacioni të veçantë për mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave të viktimave të krimeve në Kosovë janë disa nga veprimet që do të marrim.
Do të rrisim kapacitetet dhe aftësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës:
– Do t’i orientojmë politikat e mbrojtjes në zhvillimin e kapaciteteve për të përmbushur detyrën parësore të FSK-së, atë të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial dhe do t’i japim përparësi gatishmërisë luftarake të FSK-së ashtu siç e ka misionin dhe detyrën.
– Do të ketë thellim dhe rritje të bashkëpunimit bilateral me partnerët strategjik në krijimin e aftësive dhe kapaciteteve të plota ushtarake, sidomos me Shqipërinë dhe ShBA-të dhe do të përgatitemi për ta bërë Kosovën anëtare të Kartës së Adriatikut.
E derisa punojmë në reforma brenda vendit, po ashtu do të reformojmë edhe qasjen tonë jashtë vendit.
– Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kompromiset që janë kërkuar e që kanë qenë të dëmshme tashmë janë bërë me pakon e Ahtisarit si çmim i paguar për shpalljen e pavarësinë. Asnjë kompromis tjetër nuk mund ta bëjmë e nuk do ta bëjmë.
– Kjo duhet të thuhet qartë dhe zëshëm në çdo tryezë e në çdo takim nga secili prej nesh në mënyrë që të riparojmë dëmet që i janë shkaktuar shtetësisë në vitet e fundit e të cilat kanë ndikuar te njohjet e reja dhe konsolidimi i shtetësisë.
– Orientimi ynë është i qartë. Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi transatlantik do të thellohet.
– Do të punojmë pareshtur që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe pjesë e Bashkimit Evropian sepse ndajmë vlerat dhe qëllimet e përbashkëta. Rruga drejt integrimit në BE mund të jetë sfidueseve por ajo nuk ka alternativë për Kosovën.
– Ballkani Perëndimor duhet të demokratizohet përveçse duhet të zhvillohet. Pra nuk mund të ketë zhvillim pa demokratizim siç mendohet se mund të arrihet përmes disa iniciativave rajonale. Që të dyja duhet të ecin paralelisht në kuadër të anëtarësimit në BE.
– Që integrimi dhe demokratizimi te shpejtohet do të insistojmë për një plan Mini-Marshall nga BE për Ballkanin Perëndimor.
Raportet tona fqinjësore do t’i avancojmë mbi bazën e reciprocitetit dhe fqinjësisë së mirë.
– Me Serbinë kemi çështje të hapura të cilat duhet të zgjidhen përmes dialogut.
– Prioritet në këtë dialog është zgjidhja e fatit të personave të zhdukur. Kemi 1640 persona të zhdukur. Serbia nuk ka dënuar kënd për këtë krim. Në poligonin e qitjes në Batajnicë ku janë zhvarrosur 744 shqiptarë, nuk ka asnjë pllakë përkujtimore apo diçka që shënon se aty kishte një varrezë masive. Por, jemi të vetëdijshëm që afër 1/3 e të zhdukurve, fati i të cilëve nuk është zbardhur ende, nuk janë shqiptarë. 22 vjet pas luftës të gjitha familjet duhet të dinë të vërtetën për familjarët e tyre që të mbyllin plagët e hapura dhe që ne si shoqëri të fillojmë të shërohemi. Asnjë progres nuk mund të bëhet në asnjë fushë tjetër nëse nuk ka progres në këtë fushë.
– Na duhet dialogu për kthimin e afër 3 miliard euro të pensioneve të vjedhura nga Serbia; për kthimin e mbi 400 milion eurove të vjedhura nga keqpërdorimi i energjisë elektrike, për adresimin e dëmeve të luftës, për borxhet e për suksesionet.
Pra, dialog që adreson dhe zgjidhë problemet ekzistuese e jo që krijon probleme të reja.
Pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy popujve dhe mes dy shteteve. Prioritet i imi është normalizimi i Kosovës, zhvillimi e demokratizimi i saj, drejtësia për të e tek ajo. Le të normalizohet edhe Serbia duke u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe duke u demokratizuar. Ne e kemi shpallur dy herë pavarësinë e Kosovës nga Serbia, më 2 korrik 1990 dhe më 17 shkurt 2008. Është mirë që edhe Serbia ta shpallë pavarësinë e saj nga Kosova, e të bashkëpunojmë për BE dhe NATO, në BE dhe në NATO.
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
Këto janë disa nga zotimet e qeverisë së re të cilat shumë shpejtë do të kthehen në program dhe plane veprimi për zbatim.
Tani më lejoni t’ua prezantoj kabinetin e ri të qeverisë.
Zëvendës Kryeministër i parë, për integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi
Zëvendës Kryeministre e dytë, dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla
Zëvendës Kryeministre e tretë, për Çështje të Pakicave dhe Të Drejtat e Njeriut, znj. Emilija Redzepi
Ministër i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati
Ministre Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu
Ministër i Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci
Ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku
Ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi
Ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu
Ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci
Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj
Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla
Ministre e Ministrisë së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari
Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministër i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq
Ministër i Ministrisë për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka
Nga 15 ministra, vetëm 8 janë anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Nga 15 ministra, 1/3, pra pesë, janë gra. Nga kabineti ynë qeverisës me 18 anëtarë gjithsej, sërish 1/3, pra 6, janë gra. E, nga tre zëvendës kryeministra, dy janë gra.
Kërkojmë besimin tuaj, votën tuaj. Ofrojmë shërbimin e përkushtimin tonë, dijen e vullnetin tonë. Zotohemi për llogaridhënie dhe përgjegjësi ndaj jush.
Ju falemnderit.