Ndriçimi publik në Prizren është një temë që ka preokopuar gjithmonë qytetarët e Prizrenit, shkruan TV Prizreni.
Si pasojë e këtyre brengave të qytetarëve, Komuna e Prizrenit, konkretisht Drejtoria e Shërbimeve Publike përmes një shkrimi në facebook ka njoftuar se nga muaji mars ka filluar riparimi, montimi dhe ndërrimi i trupave ndriçues në komunën e Prizrenit.
“Drejtoria e Shërbimeve Publike (DSHP) njofton se pas një periudhe të stërgjatur dyvjeçare të procedurave të prokurimit, që nga fillimi i muajit mars ka filluar riparimi, montimi dhe ndërrimi i trupave ndriçues në komunën e Prizrenit”, thuhet në këtë njoftim.
Tutje thuhet se rregullimi i ndriçimit publik, së pari ka filluar nga lagjet që përfshijnë zonën brenda qytetit.
“Rregullimi i ndriçimit publik, së pari ka filluar nga lagjet që përfshijnë zonën brenda qytetit, siç janë lagjet Bajram Curri, Jeta e Re, Arbana, Dardania dhe Petrova, për të vazhduar më pas në të gjitha fshatrat e komunës së Prizrenit”.
Gjithashtu përmes këtij njoftimi shprehet edhe shqetsimi i dëmtimit të ndriçimit publik ndër vite.
“DSHP njofton se gjatë kësaj periudhe dyvjeçare janë shfaqur edhe raste, ku ndriçimi publik është dëmtuar qëllimisht nga personat e papërgjegjshëm, ku dhe iu bën thirrje qytetarëve që ta denoncojnë çdo dëmtim të pronës publike”.
“Duke i falënderuar qytetarët për durimin dhe mirëkuptimin e treguar, DSHP njofton se do të vazhdojë të realizojë edhe projekte të tjera në drejtim të rregullimit dhe instalimit të ndriçimit publik në komunën e Prizrenit”, thuhet në fund të këtij njoftimi./tvprizreni.net/