Nëse ka pasur një të mirë kjo pandemi, ajo ka qenë prova e lidhjes së fortë mes familjeve shqiptare. Emigrantët që jetojnë në Gjermani megjithë kufizimet e tyre, nuk i ndërprenë ndihmat për familjet në krizë.
“Ne themi një fjalë, pa lënë veten keq, nuk i bën dot mirë kujt. Rroga ime në Gjermani nuk është kushedi sa e lartë, po ata atje janë më keq, sidomos tani në kohën e Coronës, prandaj sigurisht që i ndihmoj familjarët në Kosovë, thotë Ardiani, një punëtor ndërtimi që jeton prej vitesh në afërsi të Bonnit në Gjermani.
Remitancat, dërgimi i të ardhurave të shqiptarëve që punojnë e jetojnë jashtë në formë parash apo investimesh të tjera prej dekadash janë një ndihmë domethënëse për familjet në Shqipëri e Kosovë, me efekt pozitiv edhe në ekonomi. Madje sipas të dhënave të Bankës Botërore nga një studim i vitit 2016 për Ballkanin Perëndimor këto të ardhura përbëjnë rreth një të tretën e buxhetit vjetor të familjeve shqiptare dhe rreth 23% të buxhetit vjetor të familjeve në Kosovë.
Një numër i madh familjesh marrin rregullisht të ardhura nga familjarët jashtë vendit. Edlira Dashi, eksperte e Bankës Botërore në Shqipëri shprehet për Deutsche Wellen, se “remitancat në Shqipëri tejkalojnë madje investimet e huaja direkte dhe asistencën zyrtare të zhvillimit duke qenë një burim i sigurtë, i stabilizuar dhe masiv financimi për familjet shqiptare”.
Pandemia nuk ndryshoi gati asgjë
Ky burim nuk u shter as në kohën e pandemisë. Sipas Edlira Dashit u vu re një rënie e lehtë në Shqipëri gjatë vitit 2020, por kjo rënie ishte shumë më e vogël krahasuar me nivelin botëror.
“Pikërisht, kjo krizë na tregoi, se remitancat janë një komerdare shpetimi për shumë familje që mund të kenë humbur punën ose xhiron e biznesit të tyre… remitancat kanë qëndruar në nivele shumë të larta duke i bërë ato akoma më të rëndësishme edhe për ekonominë e vendit”. Kurse Banka Qendrore e Kosovës konfirmon se në vitin 2019 vlera e përgjithshme e remitancave arriti në shifrën e 980 milionë eurove.
Zëdhënësi i Bankës Qendrore në Prishtinë, Kushtrim Ahmeti thotë për Deutsche Wellen, se “Gjermania vazhdon të prij për nga shuma e dërguar. Në periudhën janar-dhjetor të vitit 2020 mërgimtarët nga ky vend dërguan 414,6 milionë euro. Kjo shumë është për 67,7 milionë euro më shumë se periudha e e njëjtë e vitit 2019, ku u dërguan 346,9 milionë euro”.
Si ndikon pandemia në dërgesat tek familjet këtë mund ta vësh re mirë tek agjencitë e dërgimit të parave. Por Niels-Peter Voß, menaxher në agjencinë e dërgimit të parave, RIA Money Transfer në Berlin shprehet, se pandemia nuk ndryshoi asgjë, përkundrazi klientët tanë bënë gjithçka për t’u kujdesur për të dashurit e tyre në shtëpi.
“Nëse kjo pandemi tregoi diçka, atëherë atë, se klientët tanë më shumë se kurrë u kthyen në ndihmësit e parë për miliona vetë, që vareshin prej transfertave të tyre si të ardhura kryesore dhe po ashtu janë edhe mbështetje e fuqishme e ekonomisë nga jashtë në disa vende”, shprehet Niels-Peter Voß për Deutsche Wellen.
As tek dërgesat në Shqipëri e Kosovë, RIA nuk ka konstatuar efekte negative të pandemisë. “Në të vërtetë tregu shqiptar është rritur me 69% dhe ai në Kosovë me 56%. Dhe kjo nuk lidhet vetëm me shifrat e transfertave. Frekuenca e dërgesave është rritur, 4% në Shqipëri, 5% në Kosovë”, thotë Voß.
Emigrantët jetojnë me shqetësimet e familjeve të lëna pas
Shumë familje në Shqipëri e Kosovë i goditi papritur pandemia, jo pak vetë humbën punën. Që nevoja për ndihmë pikërisht këto kohë është shumë më e madhe, për këtë janë të vetëdijshëm edhe shqiptarët që jetojnë në Gjermani. Sapo e prek këtë temë me të ardhurit qoftë nga Shqipëria apo nga Kosova, kupton, se për ta të afërmit vetëm gjeografikisht janë larg. Familjarët në vendlindje janë pjesë e përditshme e jetës së tyre. Një telefonatë e shpejtë me Whatsapp me nënën në mëngjes para punës, apo biseda të gjata me video darkave pas kthimit nga puna. Pas mbylljes së telefonit, shqetësimet e të afërmve mbushin pastaj orë bisedash në familjet e vendosura në Gjermani. Si t’i dërgohet shuma që i duhet nënës për t’u operuar? Sa para i duhen motrës për të paguar qiranë për këtë muaj? Edhe për të satën herë do t’i dërgohen 100 euro vëllait të pa punë? Sa para do mblidhen deri në verë për të bërë rinovimet e shtëpisë në vendlindje? A do i mjaftojnë 250 euro kunatit që do të bëjë banjon e re?
Këto janë disa copëza bisedash me emigrantët që jetojnë në Gjermani, kur flasin për ndihmën që u japin familjarëve. Ardiani rrëfen, se ai i dërgon rregullisht para familjes në Kosovë, sidomos vëllait të voël të papunë, por tani që ka krijuar familjen e tij në Gjermani e i ka lindur një djalë, duhet të jetë më i kujdesshëm.
“Po di rastin e një kolegut tim në ndërtim, djalë i ri pa familje, ai llogarit një shumë parash që i duhet këtu në Gjermani për të jetuar, dhe jeton vërtet me shumë kursime, sepse të gjitha të tjerat i heq mënjanë dhe i dërgon tek familja në Kosovë”, thotë Ardiani.
Silvana nga Durrësi, që punon si sanitare në Telekomin gjerman në Bonn thotë, se e ka më të vështirë. “Aq sa më mbeten mua 1.300 euro nuk ia dal dot të dërgoj para çdo muaj. Po për raste sëmundjeje kam dërguar menjëherë para”, rrëfen Silvana për Deutsche Wellen.
Kostoja e dërgesave e lartë
Problem mbetet ende kostoja e lartë e dërgesave përmes agjencive.
Sipas ekspertes së Bankës Botërore, Edlira Dashi madje për Shqipërinë kjo kosto është shumë mbi mesataren globale. Prandaj thotë ajo, “hamendësohet se më shumë se një e treta e (37%) flukseve hyrëse të remitancave bazohen në transportimin fizik të parave të gatshme përtej kufijve.
” Edhe Ardiani përpiqet sa herë ta ketë të mundur të shpëtojë nga kostoja e dërgimit të parave, duke ua dhënë miqve paratë në dorë për t’i dërguar në shtëpi. “Sa herë e kam të mundur e bëj, po ashtu edhe kur kam shkuar vetë në Kosovë, kam marrë para për familjet e miqve. Kushtet që kanë ata atje poshtë janë më të vështira. Unë njoh shumë vetë në Kosovë, shokë të mi që e kanë humbur punën këto kohë.”
Tani Banka Botërore synon që përmes projektit Greenback, pjesë e Programit të Remitancave dhe Pagesave, të nxisë edukimin financiar të familjeve që dërgojnë dhe marrin remitanca si edhe eficiencën e tyre. Banka Botërore po organizon edhe Serine e Diskutimeve me Diasporën, për të rritur kontributet e saj në mënyra më të qëndrueshme në Shqipëri e Kosovë. /dw/