Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi u shpreh se gjendja me Covid-19 është duke u rënduar dhe po ka numër të madh të pacientëve që po kërkojnë spitalizim.
“Situata me Covid-19 është duke u rënduar nga dita në ditë. Ne po shohim përditë numër më të madh të pacientëve që po kërkojnë spitalizim, sot kemi 780 pacientë të shtrirë në 7 spitale të përgjithshme dhe në klinikat Covid të QKUK-së”, ka thënë Krasniqi.
Ai po ashtu tregoi që Qeverisë do i dërgojnë një shkresë në mënyrë që të shikojnë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve.
“Ne si SHSKUK i kemi bërë tash e një kohë të gjatë të ditur kapacitetet tona spitalore. Dje në takimin e komitetit për menaxhimin e pandemisë është vendosur që do të dërgojmë një shkresë qeverisë në mënyrë që të shikojnë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve”.
Krasniqi tregoi që duhet marrë çdo vaksinë që del në përdorim dhe aprovohet pasi çdo ilaç ka efekte anësore që shfaqen te një numër i vogël i pacientëve.
“Çdo vaksinë që del në përdorim dhe aprovohet, ajo duhet të jetë e sigurtë për përdorim. Duhet ta dimë që çdo vaksinë apo ilaç ka efektet anësore. Nëse këto efekte anësore paraqiten te një numër i vogël i pacientëve nuk është arsye për të mos u përdorë”.