Ministria e Shëndetësisë ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë shkresë zyrtare për vaksinimin e personelit shëndetësor kosovar, në Shqipëri.
Megjithatë, pas kontakteve telefonike midis dy ministrave të Shëndetësisë, MSH-ja ka kërkuar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës të përgatitë listën e mjekëve që do të vaksinohen në Kukës.
Kështu thanë në një përgjigje për IndeksOnlinen nga Ministria e Shëndetësisë.
“Deri tani shkresë zyrtare për vaksinim të personelit shëndetësor kosovar në Shqipëri nuk ka pasur, përveç kontakteve telefonike midis ministrave dhe faktit që MSH-ja ka mirëpritur këtë gjest të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. MSH-ja ka kërkuar nga SHSKUK-ja që të përgatisin listën e personelit shëndetësor që dëshiron të vaksinohet në Shqipëri vullnetarisht, një numër simbolik sa është ofruar nga Shqipëria”, thuhet në përgjigje.
Nga MSH-ja thanë se kjo po ashtu varet edhe nga vullneti i personelit shëndetësor që dëshiron të vaksinohen.
“Pra, varet edhe nga vullneti i personelit shëndetësor, meqë vaksina ka efekte preventive, por ligjërisht jo e detyrueshme, së paku deri tani. MSH-ja nuk ka refuzuar këtë ndihmë simbolike, por është e kuptueshme që fokusi është që vaksinimi të fillojë sa më parë në Kosovë”.
Ndryshe, dje dy mjekë nga Kosova të cilët shkuan të vaksinoheshin në Kukës janë kthyer mbrapa pasi nuk ishte dërguar asnjë listë e personelit shëndetësor nga Kosova.