Shoqata e Transportit Rrugor ka mbajtur mbledhjen sot për të diskutuar për veprimet që do të ndërmerren pas dy ditëve të grevës së kompanive të autobusëve ndërurban në vend.
Ruzhdi Kurtishaj, kryetari i kësaj shoqate, ka njoftuar se të premten do të protestohet me autobusë në Prishtinë.
“Kemi paralajmëruar në mbledhjen e Këshillit Drejtues të shoqatës që masat do të pësojnë ndryshime nga e premtja ku do të defilohet me autobusë në Prishtinë për të protestuar edhe para qeverisë për mospërmbushje të marrëveshjes për subvencionim të transportit rrugor”, është shprehur Kurtishaj para mediave.
“Është me rëndësi të thuhet se ka një unitet në të gjitha shoqatat qytetet për të vazhduar me grevën dhe protestën deri në realizimin final të marrëveshjes”.
Kurtishaj ka thënë se kërkesë e operatorëve të transportit rrugor është subvencionimi nga qeveria i kilometrave për secilën kompani dhe operator.