E Ngarkuara me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael, Ines Demiri, e ka marrë kartelën identifikuese të diplomates nga Ministria e Punëve të Jashtme e shtetit të Izraelit.Shefi i Protokollit të Shtetit i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izrealit, Gil Haskel, i ka uruar mirëseardhje Demirit, duke ia dhuruar edhe kartelen e diplomates.“Isha i nderuar t’i dorëzohej Ines Demirit kartelën diplomatike të Izrealit, si Shefe e parë i Misionit të Ambasadës së parë të Republikës së Kosovës në Jerusalem, Izrael. Mirë se vini Ines!!! Mirë se vini Kosovë!!!”, ka shkruar Haskel.
Demiri dje është shprehur krenare për hapjen zyrtare të Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Ajo ka shkruar në Facebook se është nder i madh për të që t’i shërbejë Kosovës në atë ambasadë.
“Një moment vërtet krenar dhe historik për marrëdhëniet e Kosovës dhe Izraelit. Republika e Kosovës sot zyrtarisht hapi Ambasadën e saj në Jeruzalem! Nderi më i madh i jetës sime është të kem këtë mundësi për të hapur Ambasadën dhe t’i shërbej me krenari vendit tim në Izrael”, ka shkruar ajo.Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar dje se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izrael me seli në Jerusalem, si pjesë e Marrëveshjes së arritur në Washington, të nënshkruar në shtator të vitit që shkoi.