Si Dita e Verës në Elbasan, në Shqipëri, me 13 – 14 mars, është edhe në Kosovë Dita e Verës, në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim të ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, të Zhurit, Vërrinit, përfshirë krahinën e Opojës në malet e Sharrit në lartësi mbi nivelin e detit mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve.
Në Kosovë, edhe pse ka ide, ende nuk ka organizime institucionale, për festimin e Ditës së Verës, por ritet e festës së lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli. Ndërkohë, Dita e Vërës prej një viti është festë zyrtare në Prizren, sipas vendimit të Kuvendit të Kumunës.
“Si festë tradicionale është e theksuar në fshatrat e Vërrinit, Lumës dhe të Opojës. Në 14 mars, fillon ripërtëritja e natyrës dhe si festë do ia shtonte atraktivitetin Prizrenit si qytet turistik”, u theksua me atë rast.
Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prizrenit në 23 shkurt 2017, kur u mor vendimi, u lexua shkrimi i vitit 1911 i personalitetit të madh të kombit shqiptar, Faik Konica “Ç’është dita e verës?”, ku theksonte se “Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me Romakët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve”.
Në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në një raportim nga Kosova në 14 mars 2012, para 6 viteve, shkruaja për idenë se, Elbasani mund të jetë shembull edhe për Prizrenin, për organizime institucionale në festimet e Ditës së Verëzes.
“Kjo pyetje juaj është një ide e mirë për të ardhmen”, tha atëherë koordinatori për kulturën në Komunën e Prizrenit, Urim Ukimeri, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ka ide iniciativa që në qytetin më të madh jugor të Kosovës Dita e Verëzes të shënohet edhe me ndonjë organizim institucional, si në Elbasan.
Në foto arkivi ATSH viti 2010 shihet një fëmijë në Opojë, ku në Ditën e Verës në borë me vezë të lyera është shkruar me shkronja të para të emrit në anglisht të Agjencisë kombetare-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – Albanian Telegraphic Agency – ATA, për të cilën prej mëse çerek shekulli, nga pranvera 1992, raportoj nga Kosova edhe për festimet e Ditës së Verëzes.
Ndërsa, para 22 viteve, në 18 mars 1996, në gazetën e përditshme “Bujku”, të vetmes atëherë në Kosovë, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës, në reportazhin nga kufiri Kosovë-Shqipëri me titull “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, i dërguar edhe në ATSH dhe që në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjeje se është botuar, në 19 mars 1996, edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë, mes tjerash, kam shkruar:
“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.
Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 marsit.
Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”.
Në Opojën e njohur për dimrat me shumë dëborë e pranvera ca “të vonuara”, në prag të Ditës së Verëzes, pasdite dhe në mbrëmje të rinjë, po edhe fëmijë, ngjiten bjeshëve, te krojet që nuk shterrojnë kurrë, mbledhin bimë, lule, drunj e shkurre dëllinje, dhe ndezin zjarre.
Vezët e ziera e të lyera, goditen me njëra-tjetrën në garën cila është më e forta, ndërsa të spërkatura me ujin e krojeve haen në bjeshkë dhe në shtëpi për shëndet e jetëgjatësi.
Në Ditën e Verës zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri, por që nuk janë ballokume Elbasani, edhe pse të ngjashme janë.
Në drekën e Ditës së Verës në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegëtori të zhvilluar.
Dita e Verës festohet nëpër familje, sëbashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, e dashuri njerëzore.
Në këtë ditë që është e verës së re, ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat e shtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallërimin, kalimin nga dimri në pranverë.
Afër Prizrenit dhe në kufi me Shqipërinë, në rajonin e Vërrinit, në festime në fshatin Zhur, më të madhin në Kosovë vezët e ziera i ngjyrosin fëmijët dhe bashkë me të rinjët dalin në zonat malore të afërta, ku mbledhin lulen e parë që lulëzon në pranverën e herëshme, luleborën.
Nënat zhurjane bëjnë gatimin tradicional, flinë, si dhe shumë gatime të tjera të veçanta për Ditën e Verës, që ështe edhe dita e vizitave të shumta mes të afërmëve dhe familjarëve.
“Ani mori Verë moj e lumja Verë
Ani dita e parë o ani e Pranverës o”.
Këto janë vargje të këngëve që këndohen në këtë festë të Ditës së Verës në Zhur, fshatin e madh të Kosovës afër vendkalimit drejt Shqipërisë në Vërmicë-Morin nëpër Autostradën e Kombit.
Verës i këndohet edhe në 13 mars – në mbrëmjen e pragditës së saj, derisa në çdo lagje të fshatit të rinjtë ndezin zjarre “që t’i japin sa më shumë fuqi Diellit”./e.malaj/ /a.g/ ATSH-Behlul Jashari/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.