Qeveria e Kosovës ende nuk ka arritur marrëveshje finale me kompaninë farmaceutike “Pfizer”, për sigurimin e vaksinave kundër Covidit-19, shkruan Indeksonline.
Ministria e Shëndetësisë e ka konfirmuar këtë për Indeksonline.
“Me gjithë marrëveshjen konfidenciale të nënshkruar më 7 dhjetor të vitit 2020, ende nuk janë përmbyllur çështjet”.
Lidhur me këtë, kompania në fjalë, “Pfizer”, për Indeksonlinen ka konfirmuar se diskutimet me Qeverinë e Kosovës janë duke vazhduar.
Detaje të tjera nuk janë dhënë për vonesat e bashkëpunimit, pas marrëveshjes konfidenciale të nënshkruar, më 7 dhjetor 2020.
“’Pfizeri’ dhe ‘BioNTechu’ janë të përkushtuara për ta sjellë këtë vaksinë në mënyrë që të plotësohet nevoja globale e shëndetit publik.
Ne jemi në diskutime me Qeverinë e Kosovës për të siguruar qasje në vaksinë.
Diskutimet me Qeverinë janë konfidenciale dhe nuk kemi asgjë për të njoftuar në këtë kohë”, thuhet në përgjigjen e “Pfizerit”.
Në Kosovë ende nuk kanë arritur vaksinat e para kundër Covidit-19.
“COVAX” ka njoftuar se do të japë 350 mijë vaksina falas për Kosovën, nga të cilat 33 mijë do të arrijnë gjatë muajit mars./Indeksonline/