Marsi është muaji i radhës, për të cilin po premtohet ardhja e dozave të para të vaksinës kundër koronavirusit në Kosovë.
Pasi zotimi i tyre për sjelljen e vaksinave të para gjatë shkurtit nuk u përmbush, kryeministri në detyrë e ministri i Shëndetësisë kanë thënë se përmes mekanizmit COVAX, 33 mijë doza të vaksinës do të mbërrijnë gjatë këtij muaji.
“Është konfirmim se prodhimi për Kosovën do të jetë në mars, diku 33 mijë dozat e para do të jenë në përdorim, përgatitjet janë bërë, pjesa tjetër ndërlidhet me muajin prill”, është shprehur ministri Armend Zemaj.
Por, të njëjtën gjë nuk e thotë edhe koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson. Sipas saj, Kosova nuk është e diskriminuar, shkaku që nuk është pjesë e OBSH-së.
Duke mos premtuar asgjë, ajo thotë se dozat e para të vaksinës në kuadër të mekanizmit COVAX mund të vijnë gjatë muajit prill.
“Unë s’mundem t’ju jap një datë, sepse ky do të ishte gabim nga ana ime, por kemi shpresë se Kosova do t’i pranojë dozat e para muajin tjetër. Unë nuk mundem t’ju premtoj, prandaj spekulimi nuk ka kuptim, por ne duhet të sigurohemi që njerëzit, gjithashtu, do të duan të marrin vaksinën”, ka deklaruar ajo.
Kosova është në mesin e shteteve që nga skema COVAX do të përfitojë më shumë se 100 mijë doza të vaksinës falas, e që ditë më parë është thënë se ardhja e tyre pritet të bëhet deri në muajin maj.
Zemaj, duke mos dhënë shumë detaje, ka thënë se janë duke zhvilluar negociata intensive edhe me prodhues të tjerë të vaksinave kundër COVID-19.
Këtë të premte, Ministria e Shëndetësisë e IKSHPK-ja, në bashkëpunim me Ambasadën e Britanisë së Madhe kanë lansuar fushatën “Bashkë kundër COVID-19”, për vetëdijesimin e qytetarëve për respektim të masave mbrojtëse.
Nga këtu, zv. ambasadori britanik kërkoi nga institucionet shtrëngim të masave, për ta parandaluar rritjen e numrit të të infektuarve në Kosovë.
“Sipas mendimit tim, kjo është një kohë e duhur për lansimin e kampanjës, respektimi i masave tash është lehtësuar sidomos tash pas fushatës, në të cilën fatkeqësisht ka pasur shumë tubime pa maska dhe pa distancë, tani për fat të keq po shohim një rritje të numrit të rasteve pozitive, tani jemi para një mbylljeje shumë të fortë, ku tash (në Britani) kemi më pak raste se Kosova. Ne mendojmë që është koha për t’i shtrënguar masat këtu”, ka thënë Jacob Webber.
Pavarësisht paralajmërimeve të shumta e rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus ditëve të fundit, institucionet e Kosovës kanë vendosur që të vazhdohet me masat e njëjta.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, tha se nëse situata përkeqësohet më shumë, atëherë do të marrin vendim për kthimin e disa nga masave rigoroze, duke mos e përjashtuar as vendosjen e kufizimit të lëvizjes.