Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili doli fitues në zgjedhjet e parakohshme të 28.12.2025, ka thënë se pjesë e kabinetit të ri qeveritar do të jenë shumë prej emrave që ishin prezantuar në tentativën e tij për t’u zgjedhur kryeministër më 26.10.2025.
Megjithatë, ai ka theksuar se përbërja e kabinetit nuk do të jetë identike dhe se do të ketë edhe emra të tjerë.
Duke folur gjatë një përurimi të investimeve në efiçencën e energjisë në Podujevë, Kurti tha se përveç konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, e pret edhe zbatimi i Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, si dhe nënshkrimi i tri marrëveshjeve me Bankën Botërore.
“Pa harruar edhe atë për të cilën kemi më së shumti përgjegjësi, obligim, por do të thosha edhe preferencë, e që është buxheti për vitin 2026. Ju e dini që nga data 1 dhjetor, Qeveria në detyrë mund të vazhdojë vetëm për muajin shkurt; për muajin mars nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë. Andaj, në muajin shkurt duhet ta kemi të përmbyllur edhe çështjen e buxhetit 2026”, ka thënë Kurti.
“Ne po përgatitemi që së pari ta konstituojmë Kuvendin dhe sa më shpejt ta formojmë Qeverinë”, ka shtuar ai.
Në mungesë të Ligjit për buxhetin për vitin 2026, në mars mund të bllokohet arka e shtetit, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejt në mosshpërndarjen e pagave për punonjësit e sektorit publik dhe pamundësinë për të ekzekutuar urdhërpagesa për shërbime publike.
Në rast se Kuvendi nuk arrin të konstituohet dhe të shkojë me kohë Ligji për Buxhetin në Kuvend, e rrjedhimisht të votohet nga Kuvendi, pasojat në raste të tilla parashihen me nenin 24 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike.
Ky nen parasheh që nëse zgjedhjet për Kuvend të Kosovës janë mbajtur në katër muajt e fundit të vitit, atëherë buxheti sigurohet për dy muajt e parë të vitit- i barabartë me 16.67 % nga viti i kaluar fiskal./Kallxo.com