Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të premten organizohet një protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Protesta është paralajmëruar të mbahet të premten e 6 shkurtit, duke filluar nga ora 13:00, ku protestuesit do të mblidhen para ndërtesës së KEDS-it.
Organizatorët kanë bërë thirrje publike për pjesëmarrje në këtë protestë me qëllim kundërshtimin e rritjes së çmimit të rrymës.
“Pas rritjes prej 16.1% që na u bë në mënyrë grabitqare nga ZRrE-ja vitin e kaluar, edhe sivjet po na paralajmërohet një vjedhje tjetër, tash diku 20%. Kjo hile e radhës prapë po i bashkon institucione publike e private që për ta pasuru KEDS-in po na e kthejnë kamxhikun neve, për të na rrjepë deri në cent të fundit. Ky paralajmërim që vjen në formë kërcënimi periodik është haptazi zhvatje ndaj nesh. Të revoltuar/a dhe të vendosur/a ta mbrojmë veten dhe mirëqenien tonë kundër privatit dhe argatëve të tij shtetërorë, ne organizohemi dhe kundërshtojmë deri në fitore” – shkruan ndër tjerash në njoftimin e kësaj organizate.
Në fund të janarit, kompania për furnizim me energji elektrike, KESCO, ka kërkuar rritje prej 21.3 për qind të çmimit të energjisë për vitin 2026. Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji, ndërsa vendimi përfundimtar pritet në muajt në vijim.