Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se që nga viti 2000 e deri më sot, në rrugët e Kosovës kanë vdekur mbi 3 mijë persona si pasojë e aksidenteve të trafikut.
Këto deklarata Hoxha i bëri të mërkurën gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës së Policisë Rajonale të Prishtinës.
Sipas tij, vitin e fundit është shënuar rritje e rasteve fatale në trafik, jo vetëm në Prishtinë, por në të gjithë territorin e Kosovës.
“Gjatë vitit të kaluar kemi pasur rritje të fataliteteve në trafik. Nga 89 persona të vdekur sa kishim në vitin 2024, numri ka kaluar mbi 100. Që nga viti 2000 e deri më sot, Kosova ka humbur mbi 3 mijë e 111 jetë njerëzish në trafik. Ky është një numër shumë i madh dhe siguria në trafik do të jetë një nga prioritetet kryesore”, ka thënë Hoxha, transmeton EO.
Ai theksoi se Policia e Kosovës nuk mund ta përballojë e vetme këtë sfidë, duke kërkuar bashkëpunim të ngushtë me komunat, Ministrinë e Infrastrukturës dhe shoqërinë në përgjithësi, veçanërisht në aspektin e vetëdijesimit të qytetarëve.
“Kjo kërkon angazhim të përbashkët, që nga vetëdijesimi i qytetarëve, procesi i pajisjes me patentë shofer, deri te kontrollet e shtuara policore në rrugë”, u shpreh ai.
Hoxha ka përmendur edhe disa faktorë që, sipas tij, kanë ndikuar në rritjen e problemeve në trafik, ndër ta numrin e madh të qytetarëve që kanë qarkulluar në Kosovë gjatë vitit të kaluar.
“Një nga faktorët kryesorë ka qenë fluksi i madh i njerëzve që kanë hyrë në Kosovë. Kemi pasur rritje me miliona vizitorë, rreth 2 deri në 3 milionë persona. Po ashtu, është rritur ndjeshëm numri i veturave të regjistruara dhe i patentë-shoferëve”, tha ai.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në vitin 2011 në vend ishin rreth 400 mijë patentë-shoferë, ndërsa sot ky numër ka arritur në rreth 900 mijë.
Ndërkohë, gjatë prezantimit të raportit u theksua se në rajonin e Prishtinës është shënuar rënie e rasteve të vrasjeve, grabitjeve, vjedhjeve të rënda, si dhe e dhunës në familje./KOHA