Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka alarmuar se një numër i madh i bizneseve po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të paplanifikuara të energjisë elektrike.
Sipas një reagimi të DhTIK-së, kjo po u shkakton rritje të kostove operative, humbje në prodhim e rrezikim të vazhdueshëm të funksionimit.
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me reduktimet e ashpra të energjisë që po aplikohen thuajse në të gjithë vendit dhe pasojat serioze që kjo gjendje po shkakton për bizneset në vend. Gjatë ditëve të fundit, DhTIK është njoftuar nga një numër i madh i bizneseve anëtare se po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të pa planifikuara të energjisë elektrike, të cilat po shkaktojnë rritje të menjëhershme të kostove operative, humbje në prodhim dhe rrezikim të vazhdueshëm të funksionimit të tyre”, thuhet në reagim.
Sipas DhTIK-së, situata është “vazhdimësi e rëndimit”, duke shtuar se kjo ndodh pas rritjes së çmimit të energjisë dhe daljen në treg të lirë. Këto zhvillime për bizneset kanë prodhuar dëme të konsiderueshme ekonomike dhe po ndikojnë negativisht në konkurrueshmërinë e sektorit privat, sipas reagimit.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë u ka bërë thirrje akterëve përgjegjës që të ndërmarrin veprime urgjente për të stabilizuar furnizimin me energji si dhe garantimin e kushteve të qëndrueshme për funksionim të bizneseve e ruajtjen e vendeve të punës.
Në disa komuna të Kosovës qytetarët po përballen me ndërprerje të energjisë. Kjo po ndodh vetëm pak ditë pasi Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, paralajmëroi mundësinë e reduktimeve shkaku i mbingarkesës.
