Ardhja e mërgimtarëve në Kosovë, nga vende të ndryshme të Evropës për festat e fundvitit, ka krijuar kolona të gjata, kryesisht në kufirin Kroaci – Serbi.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci njofton se po e përcjell me vëmendje situatën në pikat kufitare të Kroacisë me Serbinë dhe Malin e Zi, ku fizikisht ishin të pranishëm edhe zyrtarë të saj.
“Situata aktualisht është stabile. Në veçanti, pas bisedës telefonike ndërmjet ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kroacisë, z. Davor Božinović, ka rezultuar me hapjen e të gjitha sporteleve në kalimet kufitare kroate, duke kontribuar në lehtësimin e qarkullimit” – thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Megjithatë, ambasada ka paralajmëruar se për shkak të zbatimit të Sistemit Evropian të Hyrjes/Daljes (EES), procedurat e kalimit kufitar mund të jenë të ngadalësuara. EES është një sistem i ri digjital i Bashkimit Evropian për regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve të vendeve të treta në zonën Shengen dhe ka hyrë në funksion më 12 tetor 2025.
Ambasada i ka uruar qytetarët e Kosovës që udhëtojnë drejt vendit për festat e fundvitit.
“Të gjithë bashkatdhetarëve tanë që janë duke udhëtuar drejt Kosovës për t’i kaluar festat e fundvitit pranë familjeve të tyre, ju urojmë rrugë të mbarë, shëndet dhe festa të mbara” – përfundon njoftimi.
