Spitali i Prizrenit ka reaguar përmes një komunikate zyrtare për rastin e vdekjes së pacientes 12 vjeçare, e cila ishte duke u trajtuar në Repartin e Pediatrisë.
Reagimi i plotë:
Më datën 18.12.2025, rreth orë 15:55 minuta, në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, në repartin e Pediatrisë, ka ndërruar jetë një paciente e gjinisë femërore, e moshës 12 vjeçare.
Pacientja është pranuar në Spitalin e Përgjithshëm Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, në repartin e Pediatrisë, më datën 17.12.2025, në orën 23:45. Ajo është trajtuar nga mjeku pediatër, duke iu nënshtruar trajtimit të plotë klinik dhe laboratorik, në përputhje me protokollet mjekësore. Në trajtimin mjekësor janë ftuar për konsulltime edhe specialistë të fushave të tjera mjekësore.
Më datën 18.12.2025, rreth orës 14:55, gjendja shëndetësore e pacientes është përkeqësuar. Mjeku pediatër ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, duke thirrur në konsultë edhe mjekun kirurg dhe anesteziologun. Pavarësisht përpjekjeve dhe ndërhyrjeve të kryera, fatkeqësisht pacientja ka ndërruar jetë në orën 15:55.
Pas konstatimit të vdekjes, fillimisht është njoftuar familja dhe më pas rasti është raportuar në Policinë e Shtetit, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, duke ofruar bashkëpunim të plotë për zbardhjen e rrethanave të rastit. Rreth orës 19:10, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe ndan dhimbjen për humbjen e jetës së pacientes.
