15 zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë përfunduar me sukses trajnimin gjashtëmujor në Danimarkë. Ata janë certifikuar sot në një ceremoni që u zhvillua në Kopenhagë.
Në ceremoni kanë marrë pjesq Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard, Drejtoresha e Shërbimit Danez të Burgjeve, Ina Eliasen, si dhe përfaqësues institucionalë nga të dy vendet.
Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Peter Hummelgaard, ka uruar zyrtarët korrektues kosovarë për përfundimin e suksesshëm të trajnimit dhe theksoi rëndësinë e këtij hapi në kuadër të zbatimit të marrëveshjes ndërmjet dy vendeve.
“Ai falënderoi gjithashtu stafin danez për mikpritjen dhe angazhimin e tyre, duke nënvizuar se ky projekt mbetet prioritet i lartë dhe se pritet që edhe grupe të tjera zyrtarësh nga Kosova të përfundojnë trajnimin”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Drejtoresha e Shërbimit Danez të Burgjeve, Ina Eliasen, ka theksuar se trajnimi i zyrtarëve korrektues nga Kosova është thelbësor për përgatitjet para vënies në funksion të burgut.
“Trajnimi mbi sistemin korrektues danez zgjati gjashtë muaj, ku zyrtarët tanë korrektues treguan përkushtim, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë në çdo fazë. Falë angazhimit të tyre, ata arritën të zotërojnë njohuri dhe praktika të avancuara që forcojnë kapacitetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ky sukses dëshmon aftësinë, seriozitetin dhe motivimin e oficerëve tanë korrektues, të cilët vazhdojnë të jenë shembull i përkushtimit ndaj standardeve më të larta profesionale dhe etikës në fushën e menaxhimit të sistemeve korrektuese”, thuhet në njoftimin e SHKK’së.
Ndryshe, të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të transferohen në burgun në Gjilan në pjesën e parë të vitit 2027.
Transferimi i të burgosurve është pjesë e një marrëveshjeje dhjetëvjeçare mes Kosovës dhe Danimarkës, e cila parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez.
Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen më 23 maj 2024, dy vjet pasi ajo ishte nënshkruar.
Sipas marrëveshjes, personat që do të transferohen nuk do të jenë shtetas të Danimarkës.
Më herët, Ministria e Drejtësisë e Danimarkës kishte deklaruar për se të burgosurit të cilët do t’i dërgojë në burgun e Gjilanit janë persona të dënuar me dëbim nga Danimarka.
Megjithatë, shteti danez është zotuar se nuk do të sjellë të burgosur me rrezikshmëri të lartë.
