Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), së bashku me organizatat FOL dhe INPO, ka mbajtur konferencën përmbyllëse të Javës Kundër Korrupsionit 2025, ku është prezantuar një aktivitet konceptual me qasje juridike e vizuale.
Hulumtuesja ligjore e IKD-së, Arrita Rezniqi, ka theksuar se këtë vit është zgjedhur një format i ri i komunikimit publik, me synimin për ta bërë më të kuptueshëm ndikimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në shoqëri.
Ajo bëri të ditur se aktiviteti i së premtes ka për qëllim të dalë përtej formateve tradicionale, duke ofruar përvojë vizuale dhe ndërvepruese që ilustron koston reale të këtyre dukurive në jetën e qytetarëve.
“Koncepti që shihni sot është ndërtuar rreth katër stacioneve tematike, të cilat pasqyrojnë ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në jetën e përditshme, në qeverisje dhe funksionimin e institucioneve publike, në sistemin e drejtësisë, si dhe në stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit”, ka thënë Rezniqi.
Sipas saj, secili stacion kombinon elemente analitike me paraqitje vizuale për ta shndërruar korrupsionin nga një nocion abstrakt në realitet të prekshëm.
“Në këtë hapësirë, nga afër mund të shihni se si korrupsioni dhe krimi i organizuar ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme, përmes mungesës së energjisë elektrike, rrugëve të dëmtuara, ushqimeve të kontaminuara, ilaçeve të pasigurta dhe problemeve te tjera që prekin secilin. Po ashtu, krijimi i pabarazive shoqërore si pasojë e favorizimit të grupeve të interesit, si dhe abuzimet me paranë publike përmes prokurimeve jotransparente, bëjnë që koston e këtyre dukurive ta paguajmë drejtpërdrejt ne, qytetarët e këtij vendi”, ka theksuar tutje Rezniqi.
Java Kundër Korrupsionit ka nisur më 8 dhjetor me grevë njëditore, si reagim ndaj mungesës së reformave dhe dështimit të institucioneve për të adresuar korrupsionin.
Organizatat pjesëmarrëse kanë thënë se greva është thirrje për veprim, përgjegjësi dhe ndërprerje të praktikave që, sipas tyre, po e paralizojnë funksionimin e shtetit./KOHA
