Home LAJME Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në vizitë zyrtare në Kosovë

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në vizitë zyrtare në Kosovë

0
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në vizitë zyrtare në Kosovë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Në kuadër të kësaj vizite, kreu i shtetit shqiptar sot do të marrë pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK).

Në këtë ngjarje të rëndësishme për jetën akademike dhe kulturore të vendit pritet të marrë pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Një ditë më parë, Presidenti Begaj qëndroi në Rahovec, ku u prit nga kryetari i Komunës, Smajl Latifi, i cili e dekoroi atë me “Medaljen e Lirisë”. Sipas motivacionit zyrtar, ky dekorim iu nda “për kontributin atdhetar e humanist, për rolin e tij në mbrojtjen e vlerave kombëtare shqiptare në të gjitha etapat e historisë, për angazhimin e vazhdueshëm në afirmimin kombëtar e ndërkombëtar të çështjes shqiptare, si dhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e historike në trojet etnike shqiptare”.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të vizitës së Presidentit të Shqipërisë, disa segmente rrugore do të mbyllen përkohësisht. Sipas njoftimit, ndërprerjet e qarkullimit do të bëhen në intervale të shkurtra kohore, varësisht nga itinerari i lëvizjes dhe agjenda zyrtare.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë sipas itinerarit të lëvizjes dhe zhvillimin e aktiviteteve zyrtare, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore, me mundësi riorientimi në rrugë alternative. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.

Vizita e Presidentit Begaj vlerësohet si një tjetër dëshmi e marrëdhënieve të ngushta dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here