Në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prizren, ka ndodhur një përleshje mes disa nxënësve, ku një 19‑vjeçar është plagosur me mjet të mprehtë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë për IndeksOnline se policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe po heton rrethanat e ngjarjes.
“Po është raportuar, therrje me mjetë të mprehtë- thikë. Lëndime ka pësuar një 19 vjeçar. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të hetuar rastin.”, ka thënë Bytyqi.
I njëjti është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren.
“Sot, rreth orës 09:40, në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren është sjell një i lënduar, si pasojë e therjes me thikë. Janë bërë ekzaminimet e nevojshme radiologjike dhe analizat laboratorike. Është dhënë terapioni, pastaj në konsulltim me kirurgun kujdestar pacienti pranohet në Repartin e Kirurgjisë për trajtim të më tutjeshëm. Për momentin, sipas mjekut kujdestar kirurg, gjendja është jashtë rrezikut dhe në monitorim”, ka thënë për IndeksOnline shefi i Emergjencës, doktor Hekuran Veçgishti.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e të gjithë të përfshirëve dhe sqarimin e situatës./IndeksOnline/
