Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, ka kritikuar refuzimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e Listës Serbe.
Në një postim në rrjetin social “Bluesky”, ai ka shkruar se procesi zgjedhor duhet të jetë i lirë nga manovrimet politike që bëhen nga akterët politikë.
“Më vjen keq për sjelljen penguese të disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në refuzimin për të certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë”, ka shkruar ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve të Kosovës – për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të KQZ-së të martën pasdite.
Kjo është hera e tretë që KQZ-ja nuk e certifikon fillimisht këtë parti, pasi ngjashëm veproi edhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit dhe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në të dyja rastet e mëhershme PZAP-ja e kishte rrëzuar vendimin e KQZ-së.
