Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se kanë pranuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për buxhetin për zgjedhjet e 28 dhjetorit, dhe po shohin për zgjidhje sepse kjo “ka qenë jashtë planifikimeve.”
“Tash na duhet t’i gjejmë mjetet nga kursimet nga organizatat buxhetore. Do të shohim të gjejmë zgjidhje”- tha Murati.
Buxheti i planifikuar dhe miratuar për këto zgjedhje është në vlerën: 11,493,526 euro.
Kostoja fillestare e planifikuar dhe prezantuar në mbledhjen e KQZ-së ishte në vlerën 7,771,486 Euro.
Vlera përfundimtare e buxhetit të planifikuar përfshin edhe miratimin e amendamentit të propozuar gjatë mbledhjes që parasheh dërgimin e pakove me fletëvotime në adresë të votuesve, të cilët do të regjistrohen për të votuar përmes postës.
Kostoja e përafërt për dërgimin e pakove me fletëvotime përmes shërbimit postar është në vlerën e 3,722,040 dhe është llogaritur për rreth 84,000 votues potencial.
Fushata zgjedhore për këto zgjedhje do jetë nga 17.12.2025 deri më 28.12.2025./KALLXO.com
