Pas nominimit si kandidat për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u është drejtuar me një fjalë rasti delegatëve të pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.
Kurti tha se situata në të cilët gjendet aktualisht vendi nuk është situatë të cilën LVV e ka dëshiruar.
Ai deklaroi se partitë opozitare kanë për qëllim shkaktimin e një krize sociale me refuzimin e tyre për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetin e shtetit dhe buxhetin për Prishtinën e Gjilanin.
“Refuzuan bashkëpunimin për marrëveshje, më refuzuan mua, e refuzuan Glauk Konjufcën, por janë gjithashtu të njëjtit që refuzuan Albulena Haxhiun – gruan më të votuar në zgjedhje dhe janë ata që refuzuan votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, refuzuan ta financojnë RTK-në, refuzuan buxhetin e komunave, e refuzuan edhe buxhetin e vitit 2026 dhe sot gjendemi para zgjedhjeve të reja. Kjo nuk është situata që ne duam dhe as që kemi menduar që të përfundojmë kështu por përfunduam kështu pasi këto parti bllokuan vendin për 10 muaj. Ata dëshirojnë që njerëzit të mbesin pa paga e borxhe të shtuara, pra një krizë e cila është veçse legale dëshirojnë ta shndërrojnë në krizë sociale sepse krizë ekonomike në vendin tonë nuk ka”- tha ai.
Kurti tha se me LVV partitë mund të negociojnë për zgjedhjen e shumë çështjeve por jo marrëveshje ku ndahen terminale e poste ambasadorësh.
“Na thonë që të tjerët e kanë bërë Qeverinë me 20-30%. Unë pajtohem që kanë bërë Qeveri e kanë zgjedhur poste edhe me 7% por ne refuzojmë Qeveri pazaresh. Me mua mund të bashkëpunosh që të zgjidhim sa më shumë çështje, e të dëgjojmë sa më shumë halle të qytetarëve por jo marrëveshje ku ndahen terminale apo poste ambasadorësh. Pra, arsyeja pse nuk kemi marrëveshje nuk është mungesa e ofertave por bllokimi nga ana e tyre”- tha Kurti.
