Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për përpjekke për ndikim politik e ushtrim presioni për procesin e votimit të mërgatës.
Sipas tij secilit qytetar në diasporë duhet t’i mundësohet e drejta për të votuar.
“Në këto ditë jemi dëshmitarë të përpjekjeve për të ushtuar presion dhe ndikim politik, mbi procesin e votimit të mërgatës, duke u përpjekur që të pengohet miratimi i buxhetit të domosdoshëm për administrimin e këtij procesi”, është shprehur Zemaj në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën.
Ai i ka bërë thirrje VV-së, siç ka thënë, të qëndrojë larg çdo tentative për ndërhyrje në këtë proces.
“Në i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendose, si shumicë edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që të qëndrojë larg çdo tentative për ndërhyrje në këtë proces, presion apo bllokim, qoftë përmes postës, qoftë përmes votimit në konsullata dhe ambasada”, ka theksuar Zemaj.
KQZ-ja të martën ka miratuar buxhetin, prej 11 milionë e 493 mijë e 526 eurosh, për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor.
KQZ-ja do t’ua dërgojë fletëvotimet nëpërmjet postës votuesve jashtë Kosovës, një çështje kjo që e ka mbajtur peng deri të martën miratimin e këtij buxheti.
Me gjithë diskutimet e zhvilluara pro dhe kundër zhvillimit të këtij operacioni gjatë mbledhjes të së martës të KQZ-së, shumica e anëtarëve të Komisionit kanë dhënë votën për.
Paraprakisht, duke u bazuar në raportimin e Sekretariatit, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në këtë institucion kanë insistuar se krahas kostos më të lartë, procesi i dërgimit të fletëvotimeve do të dështojë.
Të hënën në mbledhjen e KQZ-së ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, në planin e prezantuar buxhetor nuk e ka përfshirë operacionin zgjedhor të dërgimit të fletëvotimeve me postë porse shkarkimin e tyre online nga votuesit e regjistruar./KOHA
