Kryetari i Aleancës për Ardhmërine e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ndarë një mesazh drejtuar diasporës kosovare, në prag të nisjes së periudhës së aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme.
Nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor 2025, mërgimtarët kanë mundësi të regjistrohen për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka vënë në pah rolin historik të diasporës, duke kujtuar sakrificat e brezave të mërgimtarëve, që nga koha e hershme e mërgimit e deri te angazhimi në luftën për liri.
“Atdheu ju mban me vete, kudo që shkoni. E kam ndjerë gjithmonë peshën e mallit tuaj dhe forcën e dashurisë suaj për Kosovën. Prej një shekulli, brez pas brezi, keni nisur rrugëtimin me një copë zemre të lënë në pragun e shtëpisë. Ndoshta askush s’e di saktë se cili brez e filloi këtë udhëtim, sepse mërgimi juaj nuk është thjesht histori largimi. Është histori sakrifice, për jetën, për lirinë. E mbaj në mend ndjenjën e mëngjeseve të hershme dhe mbrëmjeve të vona, në dhomat e ngushta të podrumeve dhe banesave, kudo në Evropë, ku malli për vendlindjen ziente me zërat e familjes, që i dëgjonim shumë rrallë me telefonat e kohës. Vetëm mirëqenia e familjes nuk mjaftonte, andaj shumë prej jush e ndryshuan rrugën, nga rruga e punës, në rrugën mes maleve, për ta sjellë lirinë që sot e gëzojmë. Rrugëtimi ishte i atyre që luftuan e u angazhuan, i dëshmorëve e i heronjëve të cilët Kosova e shqiptaria gjithmonë i nderoi. Rrugëtimi juaj nuk është i thjeshtë. Ai fillon te gjyshi, kalon te babai, te i biri, e sot te nipi që po rritet për ta dashur Kosovën si familja e tij. Krejt jeta e mërgimtarit është rrugëtim. Krejt historia e tyre është rrugëtim. Dhe secili prej jush e mban në zemër një pjesë të atdheut, kudo që jeton. Faleminderit gjyshërve e baballarëve, faleminderit krejt brezave që se harruan vendlindjen. Se harruan gjuhën e si harruan traditat”, ka shkruar Haradinaj.
Duke falënderuar mërgatën për kontributin e vazhdueshëm, ai nënvizon se vendi ka nevojë për zërin e tyre në procesin zgjedhor.
“Ju e doni Kosovën më shumë se sa fjalët mund ta tregojnë. Prandaj, zëri juaj, besimi juaj dhe angazhimi juaj na duhen gjithmonë. Kosova ka nevojë për ju, siç edhe ju e keni mbajtur Kosovën gjallë në zemrat tuaja”, theksoi ai.
