Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, të martën ka organizuar takim pune me Prokurorinë Themelore në Prizren, Policinë e Kosovës – Drejtoria Regjionale Prizren, Oda e Avokatëve të Kosovës, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave si dhe përfaqësues të Shërbimit Sprovues, me qëllim të koordinimit dhe fillimit të implementimit të hallkave elektronike për personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa e kufizimit të lëvizjes nga gjykata, në raste të dhunës në familje.
Në punëtorinë e mbështetur nga partnerët ndërkombëtar OSBE-në, morën pjesë edhe gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë policor të cilët trajtojnë këto çështje në veçanti.
Gjykata njofton se gjatë takimit u diskutua rëndësia e këtij mekanizmi të ri si një mjet efektiv për mbrojtjen e viktimave dhe forcimin e reagimit institucional ndaj rasteve të dhunës në familje.
Përfaqësues nga Policia prezantuan mënyrën e vendosjes, ndërlidhjen me sistemin e monitorimit dhe procedurat që ndërmerren në rast të shkeljes së masës së kufizimit të lëvizjes.
Në njoftim thuhet se kryetarja Emra, prezantoi para të pranishmëve hapat dhe procedurat gjyqësore për zbatimin e ligjit, kurse gjyqtarët Diora Bajrami dhe Agron Karatash, njoftuan pjesëmarrësit për praktikat dhe sfidat gjyqësore për zbatimin e vendimeve gjyqësore për vendosjen e hallkave elektronike.
Po ashtu, bëhet e ditur se kryeprokurori Petrit Kryeziu, drejtori i Policisë Rajonale në Prizren, kolonel Faton Alija, dhe kryetari i OAK dega Prizren, Blerim Mazreku, në fjalën e tyre theksuan rëndësinë e implementimit të hallkave elektronike, si mjet mbrojtjeje për viktimat e dhunës në familje, në rastet ku gjykata ka vendosur masë kufizuese të lëvizjes.
“Në ditët në vazhdim do të ketë edhe vizita në Policinë e Kosovës dhe punëtori të tjera, me akterë të përfshirë në implementimin e Ligjit për pajisjet elektronike. Ky takim u organizua edhe në kohën kur në Republikën e Kosovës shënohet ’16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore’.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.
