Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash është takuar me një delegacion të Kongresit amerikan, të udhëhequr nga përfaqësuesi Michael Turner.
Turner shoqërohej nga e ngarkuara me punë e Ambasadës amerikane, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit, Ulutash dha një përditësim mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe në gjithë rajonin, si dhe mbi përpjekjet e KFOR-it.
“Ai nënvizoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të kontribuar në sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën. Ai gjithashtu përshëndeti kontributet e gjata dhe të vazhdueshme të SHBA-së në përpjekjet e KFOR-it dhe në stabilitetin rajonal”- thuhet në njoftim.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 për të kontribuar për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Europian në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.